Tavë speciale me patate dhe presh – Shije perfekte në tryezë

Me shije të mrekullueshme, me aromë fantastike që mbush gjithë shtëpinë ashtu si dhe nxit nepsin për t’u ulur menjëherë në tryezë.

Një recetë ideale, që përgatitet krejt lehtë vetë në shtëpi për një drekë fantastike dhe shije plotë, të cilën AgroWeb.org e sjell më poshtë.
Kjo recetë është fantastike dhe mund të përgatitet me perime të ndryshme sipas dëshirës.

Përgatitja e Tavës me Patate dhe Presh
Përbërësit
(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

4 kokrra patate mesatare

1 kokërr qepë

400 gr presh

Pak gjalpë të freskët

300 gr mish të grirë (nëse dëshironi)

Vaj ulliri

2 kokrra domate,

Majdanoz,

Kripë,

Piper i zi,

Për përgatitjen e salcës: 4 kokrra vezë, çerek filxhan çaji me krem qumështi (pana), një thelpi hudhër e shtypur, erëza, majdanoz i grirë hollë, kripë, piper.

Përgatitja
Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon që të qëroni dhe të prisni patatet në feta rrumbullake me trashësi 0.5 cm ose nëse preferoni në kubikë jo shumë të vegjël.

Vendosni një tenxhere me ujë në zjarr dhe sapo uji të marrë një valë vendosni aty fetat e patateve dhe lërini të ziejnë për 5 minuta.

Pasi t’i keni zierë patatet për 5 minuta largojini nga zjarri, kullojini nga uji dhe lërini mënjanë duke i spërkatur me pak kripë.

Më pas, kaurdisni preshin e prerë në feta rreth 1 cm me vaj ulliri. Shtoni pak kripë e piper dhe pasi preshi të zbutet mirë pak largojeni nga tigani.

Ndërkohë në tiganin ku kaurdisët preshin, shtoni qepën e grirë hollë, shtoni dhe pak vaj ulliri, kaurdiseni derisa volumi i saj të bjerë.

Në këtë moment, AgroWeb.org ju udhëzon të shtoni mishin e grirë (nëse dëshironi), kaurdiseni për disa minuta.

Shtoni më pas domatet e grira, kaurdisini të gjitha bashkë dhe rregullojeni masën me kripë, piper dhe majdanoz të grirë hollë.

Shtoni një gotë me ujë dhe kaurdiseni herë pas here derisa uji të avullojë.

Merrni një tavë dhe lyejeni me pak vaj ulliri, vendosni me rradhë fetat apo kubikët e patateve, më pas salcën me mish të grirë dhe në fund rrathët e preshit.

Për salcën, rrihni 4 kokrra vezët me kremin e qumështit, hudhrën e shtypur, majdanozin e grirë hollë, kripën dhe piperin.

Mbulojeni të gjithë tavën në sipërfaqe me salcën e përgatitur me qumësht dhe vezë.

Piqeni në furrë të parangrohur në 200 gradë derisa sipërfaqja e tavës të marrë ngjyrën e kuqërremtë të pjekjes.

Kjo tavë përgatitet me të gjitha llojet e perimeve të tjera, si me patëllxhanë, patate apo edhe kungulleshka etj./AgroWeb.org

Loading...