Të dhënat/ Izolimi uli numrin e aksidenteve në Shqipëri, por vdekjet në rrugë mbetën të larta

Izolimi i vendit dhe kufizimi i lëvizjeve, si masë e marrë për parandalimin e përhapjes së pandemisë së COVID-19 në pranverë të vitit që shkoi, uli ndjeshëm numrin e aksidenteve rrugore në të gjithë vendin.

Por të dhënat nga Instituti Kombëtar i Statistikave, INSTAT tregojnë se vdekjet e llogaritura mbi numrin e aksidenteve të ndodhura ishin më të larta me të njëjtën periudhë të viteve të shkuara. Sipas të dhënave të INSTAT aksidentet u përgjysmuan në mars, prill dhe maj të vitit 2020, në krahasim me të njëjtën periudhë në vitet 2019 e 2018.

Në të tre muajt e pranverës u regjistruan vetëm 191 aksidente me 29 viktima. Ndërkohë në vitin 2018 pati në të njëjtën kohë 412 aksidente me 45 viktima dhe në 2019, 354 aksidente dhe 52 viktima. Por llogaritur për numër aksidentesh tre mujori i parë i vitit 2020 ishte më fatal. 15.1 për qind e aksidenteve në këtë kohë ishin me viktima, kundrejt 10.9 për qind e aksidenteve të ndodhura në vitin 2018 apo 14.6 për qind në vitin 2019.

Ilustrimi më i qartë i këtij fenomeni ishte në qarkun e Beratit, i cili ka ndër numrat më të ulët të aksidenteve në shkallë vendi. Në Berat numri i aksidenteve në vitin 2020 u përgjysmua në 14 raste nga 27 që ishin shënuar në vitin 2019. Numri i viktimave megjithatë u rrit nga 4 në vitin 2019 në 7 të tilla një vit më parë.
Specialistët e sigurisë rrugore deklarojnë se rënia e përkohshme e numrit të aksidenteve, që ishte e lidhur specifikisht me periudhën e karantinës, nuk kishte të bënte me rritjen e sigurisë në rrugë, por me rënie të qarkullimit.

Muajt pas saj u shoqëruan me rritje të numrave të aksidenteve ngjashëm me vitet e shkuara, ndërsa në janar 2021 numri i aksidenteve (125 raste) u rrit edhe në krahasim me janarin e vitit 2020 (93 raste).

Arian Janku, ekspert Autoteknik i Qarkullimit Rrugor shpjegon se aksidentet, edhe pse lidhen me numrin e makinave që qarkullojnë në rrugë, vijnë edhe prej një sërë problematikash të vetë rrugëve, përfshi mungesën e sinjalistikës.

“Ka rrugë problematike, ka mungesë të theksuar të sinjalistikës në vend, ka mungesa të barrierave mbrojtëse”, tha Janku.

Specialisti përcakton tre faktorë kryesorë që bëhen shkak aksidentesh në vendin tonë. “Vetë drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, problematika e rrugëve dhe sigurisë dhe këmbësorët që nuk respektojnë rregullat duke u bërë shkak i aksidenteve,” tha ai.

Të treja bashkë e kanë bërë Shqipërinë, sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shendetësisë, një prej vendeve me numrin më të lartë të vdekjeve për mijë banorë në aksidente rrugore në Europë.

Në Berat ndërkohë policia thotë se po përpiqet të ndryshojë situatën duke shtuar monitorimet dhe gjobat.

Shefi i Sektorit për qarkullimin rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, kryekomisar Ali Yzeiri tha për BIRN se policia lokale po provonte monitorimin nga ajri, që sipas tij po jepte efekt në uljen e numrit të aksidenteve.

“Janë ushtruar kontrolle të shumta në të gjitha akset rrugore, duke monitoruar nga ajri me dronet, jo vetëm për menaxhimin e trafikut, por dhe për parandalimin e aksidenteve rrugore”, tha Yzeiri.

Kontrollet nga ajri, me dronet që kanë një rreze veprimi shumë të madhe evidentojnë sipas policisë çdo rast shkelje dhe e bëjnë punën e efektivëve në terren shumë më të lehtë. Vendosja në punë e droneve ka bërë që Sektori i Qarkullimit Rrugor të shtojë dhe numrin e masave administrative, duke vendosur më shumë gjoba.

“Shkeljet që hasen më të shumti janë parakalimet e gabuara, manovrat e rrezikshme në rrugë, mosvendosja e rripit të e sigurimit apo përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit”, thotë Kryekomisar Yzeiri.

Monitorimi nga ajri ka shmangur sipas tij edhe konfliktet mes punonjësve të policisë dhe shoferëve.

Agim. L., një shofer i gjobitur të cilin e takuam në radhë pranë zyrave të postës për të paguar gjobën, thotë se u ndalua në rrugën Berat-Skrapar, pasi kishte bërë disa parakalime të gabuara.

“Ishte grupi i policisë rrugore që në afërsi të hyrjes në Poliçan më ndaloi dhe më tregoi shkeljet e filmuara në dron”, thotë ai.

Por sipas specialistit Janku, veç kontrolleve rigoroze nga policia dhe sensibilizim për qytetarët, që situata të ndryshojë duhen investime konkrete nga qeveria. “Është më mirë që të investohet në rrugë cilësore, në sinjalistikë, sepse jeta e çdo personi që vdes në aksident vlen më shumë,” përfundoi Janku. /Birn/

Loading...