Histori e trishte!
Familja e Riza Mustës në fshatin Lubonjë të Selenicës prej vitesh jeton në kushte shumë të vështira. Janë 10 fëmijë dhe i zoti i shtëpisë të cilët në shumë raste ngrysen e gëdhihen me barkun bosh. Të vetmën të ardhur kanë një ndihmë prej 2500 lekë në muaj, ndërsa fëmijët shpesh braktisin shkollën për të mbledhur kanaçe.
Të flesh me barkun bosh. Kjo është historia e familjes së Riza Mustës në fshatin Lubonjë të bashkisë Selenicë. Report Tvka ndjekur nga afër historinë e Rizait, babit të 10 fëmijëve i cili jeton në kushte të mjerueshme. Gruaja nuk ka as 1 muaj që i ka vdekur, ndërsa Rizai është i detyruar të jetoj me fëmijët në një shtëpizë të vogel. Ata flenë disa në shesh dhe disa në dy krevate të vjetër dhe rrenuar.
Me lot në sy i zoti i shtëpisë na tregon atë çka kishte gatuar sot, supe me mish pule, të sjellë nga mësuesit e një shkolle aty pranë. Rizai tregon se kjo është ditë me fat pasi do të hanë diçka, pasi në ditët më të shumta ata kanë fjetur me barkun bosh, në shesh dhe errësirë totale, pasi prej 1 muaji i kanë prerë edhe dritat.
“Sot më sollën mësueset. Kishim një pulë që e patën sjellë dhe sot sollën dy pako me oriz”, thotë Rizai.
Një prej mësueseve jashtë kameras shprehet se në momentin që i trokitën në shtepi, fëmijët i gjetëm shtrirë në shesh. Burim të vetëm të ardhurash kjo familje ka mbledhjen e kanaçeve. Fëmijët dalin që herët në mëngjes për të mbledhur hekurishte, ndërsa ndihma që ata marrin nga Bashkia është 2500 lekë.
“Jetoj në kushte shumë të vështira. Asnjë sistem nuk më ka ndihmuar. Më kanë prerë dritat se kam për të paguar 11 mln lekë, 6 milionë kështu dhe 5 mln lekë oferta. Flejmë në çimento. Fëmijët shkojnë në shkollë, por këto ditë nuk kanë shkuar se skanë kushtët për të mësuar, për të bërë detyrat. Gjithçka këtu është jashtë normave njerëzore”, vijon Rizai.
Vajza e shtëpisë Luljeta vetëm 14 vjeçe tregon me pak fjalë se jetesa qe ajo bën është mjaftë e veshtirë, pasi në vend që të ishte në gjimnaz rri në shtëpi për t’u kujesur për familjen e saj.
“Unë jam e zonja e shtëpisë që bëj të gjitha punët. Është shumë e vështirë. Na iku nëna. Rrimë pa bukë”,rrëfen Luljeta.
Dy djemte e vegjel të Rizait me lot në sy tregojnë se nuk shkojnë në shkollë pasi mbledhim kanaçe për të jetuar. Nga të pangrënet disa herë në shkollë fëmijëve u ka rënë të fikët.
“Nuk kam shkuar në shkollë se s’kemi për të ngrënë. Mbledh kanaçe”, thotë djali i vogël me lot në sy.
Fshati Lubonjë ndodhet vetem 30 km larg qytetit të vlores dhe i përket Bashkisë së Selenicës, një fshat që dita ditës po braktiset. Pamjet tregojnë qartë se palltet janë të amortizuara, të braktisura.
“Fshati është katandisur për ibret të zotit, nga ana ekonomike, nga ana e kushteve për ujë, për drita… Një shie bie dhe drita nuk ka”, thotë një banore e fshatit Lubonjë në Selenicë.
“Fshati siç e sihkoni edhe vetë, shtëpitë janë rrënuar. Edhe këta që banojnë aty prit kur t’i zërë poshtë pallati sepse po hapet nga lart. Nuk ve dorë as bashkia dhe askush”, thotë një tjetër banor.
Report Tv shkoi edhe në qendren shëndetësore për të parë kushtet e saj, por u ndesh me derën mbyllur, kjo tregoi qartë atë çka banorët thonin.