Një vogëlushe 12-vjeçare telefonoi numrin 112 me iniciativën e saj për të kërkuar ndihmë.
“Ne jemi të uritur, babai im nuk po punon më dhe frigoriferi është bosh, ju lutem na ndihmoni.”
Kjo ishte thirrja telefonike për policinë në Vergato të Bolonjas në Itali.
Të prekur nga kjo telefonatë, një grup me policë u nisën në shtëpinë e saj për të parë nga afër situatën.
Pasi konstantuan se gjendja ishte me të vërtetë shumë e vështirë, ata ndihmuan familjen e përbërë nga prindërit dhe dy fëmijë.
I vetmi që dërgonte para në shtëpi ishte babai i vajzës, por ai kishte humbur punën për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Policët bënë pazarin për këtë familje. Ata i furnizuan me qumësht, makarona, vezë, miell, mish, biskota, fruta dhe perime, citon vizionplus.