Temperaturat e larta thyejn rekorde, Australia shpall gjendjen e jashtëzakonshme

Gjendja e emergjencës është shpallur në Nju Sauth Uells të Australisë, në mesin e frikës se një valë nxehtësie që po thyen rekordet do të mund të përshkallëzojë krizën e zjarreve që ka mbërthyer shtetin.

Vendi shënoi temperaturën më të lartë në histori të martën, por rekordi u thye sërish të mërkurën, kur temperatura mesatare maksimale arriti në 41.9 gradë Celsius.

Autoritetet në këtë shtet po përballen aktualisht me rreth 100 zjarre në një krizë që zgjat prej muajsh.

Të enjten, kryeministrja e këtij rajoni, Gladys Berejiklian, tha se shpall gjendje të jashtëzakonshme për shtatë ditë.

“Shqetësimi më i madh gjatë ditëve të ardhshme është paparashikueshmëria, me kushte ekstreme të erës dhe temperatura jashtëzakonisht të nxehta”, u tha ajo gazetarëve.

Gjendja e jashtëzakonshme u jep autoriteteve të zjarrit kompetenca të tjera për të trajtuar krizën. Temperatura e mëparshme rekord në Nju Sauth Uells ka qenë 40.3 gradë Celsius, në vitin 2013. Valët e nxehtësisë janë katastrofa natyrore më vdekjeprurëse në Australi dhe kanë vrarë mijëra njerëz më shumë sesa zjarret apo përmbytjet.

Loading...