Tensionohet protesta para Kryeministrisë,thyhen dyert e xhamat

Tensionohet protesta para Kryeministrisë, protestuesit kanë çarë kordonin e policisë dhe kanë hipur në pjesën e sipërme. Ata kanë hedhur molotov dhe shishe me benzinë, ndërsa kanë shyqer mbulesën e skelës me hekura të vendosur para Kryeministrisë.

Policia, e cila ka qenë e paarmatosur është tërhequr dhe protestuesit janë praktikisht në dyert e kryeministrisë. Disa kanë hipur edhe mbi skelë dhe të tjerë kanë thyer xhamat e dyerve.

Opozita e Bashkuar proteston sot kundër qeverisë “Rama”. Prej më shumë se një muaji, partitë opozitare kanë thirrur shqiptarët në protestë në kryeqytet për të rrëzuar kryeministrin Edi Rama dhe për t’i hapur rrugë krijimit të një qeverie tranzitore që do të përgatisë vendin për zgjedhje të parakohshme parlamentare, që sipas opozitës do t’i hapë vendit rrugën e integrimit.

Policia ka paralajmëruar se në protestë ka persona me precedentë penalë dhe ish-të dënuar për krime të dhëna që do të përdorin dhunën por opozita e ka mohuar duke thënë se elementët kriminalë janë në qeveri.

Opozita është deklaruar kundër dhunës por se gjithçka është në dorën e protestuesve. Në protestën e sotme, ndryshe nga sa jemi mësuar nuk do të ketë fjalime dhe as flamuj politikë vetëm parulla e slogane të qytetarëve.
Ndërkohë që në orët e para të mëngjesit, autobusë e mjete të shumta me qytetarë janë nisur nga 12 qarqet e vendit.

Basha dhe Berisha ulen këmbëkryq me protestuesit
ORA 11:20- Opozita e bashkuar ka nisur protestën në Bulverdadin ‘Dëshmorët e Kombit’. Pas bashkimit me qytetarët, Basha është ulur për disa minuta këmbëkryq me protestuesit.

Në krah të Bashës ishte edhe ish kryeministri Sali Berisha i cili gjithashtu është ulur këmbëkryq.

Nis protesta e opozitës, Basha u bashkohet qytetarëve
Ora 11:06– Kreu i PD Lulzim Basha ka dalë nga selia dhe i është bashkuar qytetarëve në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

PD: Ja kush do flasë në protestë
Ora 10:40– Partia Demokratike ka konfirmuar sot se protesta nuk do të ketë fjalime nga kryetarë partish. Sipas PD, fjalën e kanë vetëm qytetarët, të cilët i janë përgjigjur thirrjes së kreut të opozitës për të marrë fatin në duart e tyre.

“Protesta do të hapet nga një vajze e re nga Shkodra. Më pas do të marrin fjalën përfaqësues nga ata që mbrojtën Teatrin, nga banorët protestues të Unazës së Re, të cilët janë në qendër të protestës. Do të ketë përfaqësues nga biznesi i vogël, një pedagog, fermer, artizan dhe sipërmarrës i ri. Më pas, qytetarët do të jenë të lirë ta marrin fjalën për të shprehur revoltën e tyre”, bën të ditur PD.

Rama si Maduro, pankartat e të rinjve të FRPD në protestë
Ora 10.50 – Të rinjtë e FRPD kanë ironizuar kryeministrin Edi Rama duke e krahasuar atë me Presidentin e Venzuelës Nicolas Maduro. Në jo pak deklarata politike deputetë të PD janë shprehur se kreu i qeverisë shqiptare do të ketë të njëjtin fund si presidenti Nicolas Maduro.


FRPD menaxhon protestën
Ora 10:50- Do të jenë të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike që do të menaxhojnë dhe mbajnë nën kontroll protestuesit e thirrur sot në protestën e opozitës. Gazetari Klajdi Bodlli raportoi për “BalkanWeb” se 500 te rinj të FRPD do të bëhen kordon para protestuesve.

Formohet kordoni i policëve para Kryeministrisë
Ora 10:40- Kur na ndajnë vetëm pak minuta nga nisja e protestës së opozitës së bashkuar, policia është bërë kordon para objektit të Kryeministrisë. Në gardhin e efektivëve të policisë ka shumë pak police femra, pothuajse të gjithë janë policë meshkuj. Ndërkohë në derën e Kryeministrisë qëndon një zjarrfikëse dhe punonjës të zjarrfikësve.


Kryeministria rrethohet me tela me gjemba
Ora 10:00- Gazetarja Dorjana Bezat raportoi nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” se në dyert e Kryeministrisë janë vendosur tela me gjemba. Ndryshe nga herët e tjera, masat e marra nga policia janë më të shtuara dhe ndërkohë që Kryeministria është objekti më i vëzhguar për shkak se protestuesit do të mblidhen para saj. Mbi taracën e Kryeministrisë ka punonjës të Gardës që vëzhgojnë me dylbi.

foto galeri foto galeri foto galeri foto galeri 1234PreviousNext
“Asnjë nuk i ndal protestuesit”, Basha mbërrin në selinë e PD
09:45 – Kur na ndajnë edhe 1 orë e pak nga nisja e protestës së opozitës, kreu i PD Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI Monika Kryemadhi mësohet se ndodhen në selitë e forcave politike që ata përfaqësojnë. Basha ka mbërritur në selinë e PD rreth orës 09:40 dhe është shprehur shkurt për gazetarët se ‘asgjë nuk i ndal protestuesit’. Sakaq deputetet e tjerë të opozitës janë shpërndarë në njësi të ndryshme dhe pritet të bashkohen në orën 11:00 në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.

Bëhen gati autobotet, policët pajisen me maska kundër gazit
Ora 9:35- Plot 1300 forca policie do të jenë sot në terren të angazhuar për protestën e opozitës së bashkuar që do të nisë në orën 11:00 në Tiranë. Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se nga ana e strukturave të policisë ka nisur të vihet në zbatim plani i masave.

“Ka nisur që në orët e para të mëngjesit shpërndarja e policisë nëpër kryeqytet dhe jo vetëm por edhe në akset lidhëse me qytetet e tjera ka prezencë të shtuar të policisë rrugore.
Është ndjekur protokolli dhe janë vendosur autobotet me ujë pas kryeministrisë, zjarrfikëse dhe ambulanca në rast të ndonjë emergjence. Pritet që të jenë 1300 efektivë policie në terren, 900 do të vendose para Kryeministrisë”, deklaroi Bezat.

Ajo tha se efektivët që do të jenë në krahë të protestuesve janë pajisur me maska kundër gazit në rast të hedhjes së bombave molotov apo sendeve të tjera piroteknike.
Policia do mbajë në monitorim personat që konsiderohen të dhunshëm dhe që janë verifikuar më herët.

Nga minjtë tek bileta e prerë e Ramës, ja sloganet e protestuesve
Ora 9:00- Nga Vlora janë nisur autobusë e mjete private me protestues drejt Tiranës, ndërkohë që vetë kryeministri do të jetë sot në Vlorë.

Në një prej autobusëve është vendosur një pankartë ku shkruhet “Ky është fundi i hajdutëve”.
Sipas PD, ky është slogani i protestuesve vlonjatë, të nisur me autobusë dhe makina drejt Tiranës. Në foton e pankartës shihet një mi në çark, simboli për fundin e hajdutëve.

Ndërkohë durrsakët kanë si lajtmotiv, përgjimet e Zërit të Amerikës. “VOA tapes. Rama+crime bought elections. Rama+Dako+Avdylajt”, është mesazhi që me sa duket iu drejtohet ndërkombëtarëve. Nga Shkodra vjen një tjetër parrullë. “Edi Rama ke marrë fund. Po vijnë shkodrant si lum”, shkruhet. Nga Elbasani ka diçka dhe më të rëndë. “Edi Ramës populli ia ka prerë biletën në të sëmës”.


PD jep shifrat e para: Ja sa protestues janë nisur drejt Tiranës
Ora 8:50-Partia Demokratike ka dhënë shifrat e para të protestuesve të nisur nga rrethet drejt Tiranës. Sipas PD, raportohet se janë nisur më shumë se 50 mijë qytetarë drejt Tiranës. Vihet re sipas këtyre të dhënave, qarku me pjesëmarrjen më të madhe të protestuesve është ai i Durrësit, më pas vjen Shkodra, Elbasani e Lezha.

Qarku Shkodër – 8000 qytetarë; Qarku Lezhë – 6800 qytetarë; Qarku Kukës – 4000 qytetarë; Qarku Dibër – 3500 qytetarë; Qarku Durrës- 9100 qytetarë; Qarku Elbasan – 7500 qytetarë; Qarku Berat – 3000 qytetarë; Qarku Fier – 4800 qytetarë; Qarku Vlorë – 4500 qytetarë; Qarku Gjirokastër – 2000 qytetarë; Qarku Korçë – 4200 qytetarë.

SITUATA NE QARQE:

GJIROKASTER-4 autobusë dhe 250 mjete private janë nisur rreth orës 05:00 të mëngjesit nga Gjirokastra nën organizmin e drejtuesve të PD në këtë qark.

BERAT– 8 autobusë dhe 180 mjete të vogla janë nisur nga Berati. 6 autobusë janë nisur nga Skrapari. Ka pasur edhe tensione me policinë pasi një autobus është ndalur nga policia, por më pas autobusi është lejuar të kalojë. Autobusi ishte bllokuar nga policia pasi nuk kishte fletë udhëzimi drejt Tiranës.

SHKODER– Edhe në Shkodër ka pasur një organizmi nga drejtuesit e PD. Janë rreth 30 autobusë dhe furgonë nga Shkodra që janë nisur para teatrit ‘Migjeni’ në drejtim të Tiranës. Në kryebushat ka pasur një kontroll të protestuesve në autobus.

DIBER– Sipas PD anë mijëra persona që janë nisur nga qarku Dibër për të protestuar në Tiranë. Ka pasur postblloqe nga policia në Maqellarë dhe në Burrel dhe policia ka qenë korrekte.

FIER– Rreth orës 07:00 simpatizantë dhe qytetarë të ndryshëm janë nisur nga Fieri dhe rrethinat. Deputeti i PD Luan Baci tha se janë mbi 300 mjete të vogla si dhe autobusët nisur nga ky qark drejt Tiranës. Policia ka ushtruar kontrolle dhe më pas ka lënë të lirë qytetarët për të udhëtuar drejt Tiranë.

LEZHE– Janë dhjetëra automjete dhe autobusë që janë nisur në drejtim të Tiranës edhe nga Lezha.

VLORE– Nga Vlora janë konfirmuar nga drejtuesit e PD rreth 1800 qytetarë të ndarë në 13 autobusë dhe makina të vogla. Rama pritet të zhvillojë një takim me qytetarët në këtë qytet dhe mohohet se do të zhvillohet antimitig.

KORCE– Shumica e qytetarëve nga Korça janë nisur me 12 autobusë si dhe 10 mikrobusë. Shumë qytetarë nga Korça nuk kanë pasur mundësi të udhëtojnë për në Tiranë për shkak të mungesës së mjeteve.

ELBASAN– Sipas PD janë 7500 qytetarë që pritet të marrin pjesë në protestën e opozitës. Sipas kreut të PD në Elbasan nisja do të nisë në orën 09:00 drejt Tiranë.

DURRES– Janë nisur 20 autobusë dhe furgonë si dhe mjete të vogla që janë nisur drejt Tiranë. Protestuesit kanë thënë se nuk kanë pasur vështirësi në autostradë. Kanë qenë 4 pika të nisjes së mjeteve nga qyteti bregdetar.

(BalkanWeb)

Loading...