Tensionohet situata në gadishullin korean, amerikanë ngrenë në fluturim avionë bërthamorë, ja si i përgjigjet Korea e Veriut
Stërvitja e përbashkët mes amerikanëve dhe koreano-jugorëve ka sjellë reagimin e komunistëve në veri. Ndërsa amerikanët ngritën bombarduesit bërthamorë në ajër, koreano-veriorët kërcënuan se i kishin gati raketat bërthamore po të përshkallëzonte situata.
Amerikanët ngritën në fluturim avionët bombardues bërthamorë, si shenjë për të treguar se mbështesin aleatin e tyre koreanojugor në çdo rast.
Ndërkohë, koreanoveriorët thanë të martën se kanë vendosur gishtin te butoni i kuq i raketave bërthamore ndërkontinentale në rast se tensionohet situata.
Ekspertët thonë se komunistët në veri tashmë kanë armë bërthamore, dhe amerikanët kanë vendosur të tregojnë se do t’i mbrojnë jugorët me të gjitha mjetet në dispozicion, përfshirë ato bërthamore.
Stërvitja e përbashkët mes koreanojugorëve dhe amerikanëve u mbajt pas lëshimit të një sateliti në hapësirë nga ana e Koresë së Veriut. Për amerikanët ai është satelit spiun ushtarak, por për komunistët në veri është satelit për çështje tregtare dhe të brendshme të vendit.
Tensionet nuk kanë munguar muajt e fundit në atë zonë, ku amerikanët kanë nisur të krijojnë aleanca të gjera për të kundërshtuar edhe rritjen e influencës kineze në rajon.
Së fundmi, koreanoveriorët kanë kërcënuar edhe japonezët, duke hedhur raketa balistike që mbajnë mbushje bërthamore në afërsi të ujërave të tyre territoriale.