Tentoi të korruptonte policinë kufitare me 600 euro që të kalonte drogën në Greqi, arrestohet 56-vjeçari në Kapshticë

Një 56-shqiptar ka rënën në prangat e policisë, pasi u kap teksa po tentonte të kalonte në kufi me 2 kg kanabis.
Policia kufitare kanë njoftuar se droga është gjetur në bagazhin e makinës me të cilën Gjovalin Zefi po udhëtonte, ndërsa në momentin e ndalimit ai ka tentuar dhe të korruptojë efektivët, duke u ofruar 600 euro që ta linin të kalonte. Ngjarja ka ndodhur në pikën kufitare të Kapshticës.

U ofroi policëve kufitarë 600 euro që të kalonte drogën

Njoftimi i policisë:

Policia Kufitare në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Korçë parandaluan dhe goditën një tjetër rast të trafikimit të lëndëve narkotike dhe mitdhënies.

Tentoi të trafikonte sasi droge drejt Greqisë, nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë dhe iu ofroi ryshfet punonjësve të policisë, me qëllim shmangien e kontrollit, bie në prangat e policisë një 56-vjeçar.

Sekuestrohet 2 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe 600 euro.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në vijim të punës për rritjen e kontrollit me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për trafikim të lëndëve narkotike, si dhe në bazë të analizës së riskut dhe shkëmbimit të informaciomeve me specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë përzgjedhur për kontroll të imtësishëm në vijën e dytë, automjetin tip “Mitsubishi” me drejtues shtetasin Gj. Z., 56 vjeç, banues në Shkodër.

Si rezultat i kontrollit të ushtruar në mjet, në bagazhin e tij iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 7 pako me peshë 2 kilogram lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Shtetasi Gj. Z., ka tentuar të korruptojë punonjësit e policisë duke iu ofruar 600 euro, me qëllim shmangien e kontrollit.

Veprimet e mëtejshme procedurale dhe hetimore, u kryen nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, të cilët bënë arrestimin në flagrancë të këtij shtetasi për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, mbetur në tentativë dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.

Loading...