Tepelenë
Ky vetë, në qëndrimin e tij të bronztë, në qendër të qytetit duket edhe më i verdhë se zakonisht.
E shtrëngon vërtet fort atë llullën e tij të gjatë, porse duket se shikimi i tij, që depërton matanë Vjosës, është rënduar ca nga dielli përvëlues. Ne ecim një copë herë mbi bedenat e kalasë së njohur. Sytë na lëbyren nga vezullimi i Vjosës, që shket ngadalë poshtë këmbëve tona.
Përballë kemi Beçishtin, vendin e origjinës së Aliut dhe një urë që e lidh atë me Tepelenën. Më saktë do të ishte po të thoshim që “duhet të lidhë” bregun e përtejmë të Vjosës me qytetin.
Që nga lart e shohim se ura tashmë është një skelet i shkretë, ku vetëm ndonjë guximtar aventurohet të kalojë.
Një ëndërr e mbetur përgjysmë
Disa thonë se Aliu, thjesht për nostalgji, e kishte ëndërr që në këmbët e sarajeve të tij në Tepelenë të kishte një urë që e lidhte me Beçishtin, vendin e gjyshërve të tij.
Të tjerë thonë se përveç ëndrrës, ishte edhe interesi. Rrugët egëtare që lidhnin Kurveleshin e Vlorën me Janinën kalonin pikërisht këtu. Taksat për çdo karvan që do kalonte mbi urë do të ishin një e ardhur e mirë. Sido që të ketë qenë puna, të gjithë bien dakord që Aliu, e thënë në zhargonin e sotëm, e “kishte fiksim” një urë të ngritur prej tij mbi Vjosë. Punimet për ngritjen e saj duhet të kenë nisur mes viteve 1804 e 1810, kohë në të cilën Aliu tashmë ishte bërë i pari i vendit.
Ato shkonin paralelisht me rindërtimin e kalasë dhe sarajeve në Tepelenë. Një legjendë që rrëfehet ende thotë se punimet vajtën ters që në ditët e para. Në krye të njerëzve të zhytur në ujë ishte Petro Korçari, që ishte si të thuash, ministri i ndërtimeve të Aliut. Gurët merreshin që lart nga malet. Thuhet se çdo banor i atyre anëve ishte i detyruar të bënte punë angari sa herë e kërkonte këtë Aliu i egër.
Thuhet madje, se deri te ura ishte krijuar një vargan i gjatë njerëzish që transportonte dorë më dorë gurët e rëndë nga malet drejt lumit. Diçka nuk shkoi mirë që në fillim. Sapo vinte periudha e vërshimeve, Vjosa përpinte brenda pak çastesh këmbët e ngritura me aq mund.
Pashai vrerosej, nuk ishte mësuar të mos bëhej ajo që donte, por e dinte se lumi nuk ishte nga ata që i bindeshin atij. Tek e fundit, atë nuk mund ta vriste, ta varte, ta poshtëronte.
Ai urdhëronte që këmbët të ngriheshin sërish. Sërish ato përlaheshin nga inati i Vjosës. Dukej se diçka nuk shkonte si duhej. Mbase ceremonia e kurbanit ishte bërë shumë shpejt dhe e pandjerë, mbase ndokush e kishte ngrënë më sysh, mbase ishte e nomatisur…
Është tashmë e njohur etja e Aliut për të bërë ndërtime në emër të tij. Si të gjithë diktatorët, edhe ai, me sa duket, ka pasur frikë se do të kujtohet vetëm për zullumet dhe jo për gjë tjetër. Kështu që etja e tij për të ndërtuar u bë gati-gati proverbiale.
Shkruan Sabri Godo në të famshmin roman të tij historik: “…Ky pasha nuk pushonte së ngrituri mure. Vrulli i tij në ndërtime rritej me kohën. Njerëzia u këputën së mbarturi gurë, po nuk ankoheshin, se tek e fundit, kjo ishte një gjë e re brenda ndryshimeve të përgjithshme që po ndodhnin. Gjithsesi, ankimi, e sidomos kundërshtimi, paguheshin me ndëshkime të rënda.
Petro Korçari, që projektonte punimet, e pyeti nëse do të ndaleshin ndonjë ditë për të marrë frymë. Aliu qeshi. I paskësh thënë një dervish se ditën që nuk do të ngrinte mure, do të vdiste. I bëhej qejfi tek shihte ndonjë pllakë mbi një vepër të mbaruar: ‘A je i etshëm o udhëtar! Pi në këtë ujë të freskët, shuaje etjen tënde dhe ji i kënaqur që rron nën qeverisjen e Lartësisë së Tij Ali Pashë Tepelenës, dhe lutju Allahut t’ia rritë lavdinë e ta zgjasë jetën e tij’.
Kur vë në litar një njeri, pas dy ditësh, e shumta pas dy javësh, puna e tij do të harrohet. Po fjalët e skalitura mbi gur, tek i cili të shkojnë sytë sa herë ul kokën të pish ujë, do të punojnë doemos brenda teje. Kështu, edhe kur kalon mbi urën e një lumi të rrëmbyer, kur ecën mbi një rrugë të shtruar, kur sheh një moçal të tharë, kur hyn në një han të pastër, kur sheh një kala të fortë lart në qafë. Fjalët e shkruara në pllakë forconin themelet e sundimit të tij dhe të trashëgimtarëve që do të linte pas…”. (Sabri Godo, “Ali Pashë Tepelena”, “Dudaj”, Tiranë 2003).
Kështu thotë legjenda dhe letërsia. Historia është disi më e ftohtë. W. M. Liku, i dërguari anglez në oborrin e Aliut, erdhi në Tepelenë në 1804. Ai nuk përmend asnjë urë në këmbë të kalasë së Tepelenës. Ai e kapërceu Vjosën mbi Urën e Subashit, disa kilometra më në Jug, e cila ekziston edhe sot. Shtatë vjet më vonë, një tjetër anglez, Henri Holland, mjek i Aliut për afër dy vjet, na thotë se ura qe ndërtuar, por edhe ishte shembur dy herë. Po ai na thotë se Aliu ishte konsultuar edhe me inxhinierë të huaj, të cilët e kishin këshilluar ta linte këtë punë. Vendi thjesht nuk ishte i përshtatshëm për të ngritur një urë. Mjeku anglez pa vetëm rrënojat e mbetura nga këmbët e urës. Aliu i kishte shprehur vendosmërinë e tij për ta ndërtuar me çdo kusht urën që kishte ëndërruar që në të ritë e tij. Ishte nga ato ëndrra që nuk para arrihen, kushdo që të jesh.
Nga ëndërr në frikë
Vjosa ka fare pak ujë. Ajo nuk është më lumi i inatosur që shkul këmbë urash. E lodhur nga zhegu, ajo nuk ka më fuqi të ndëshkojë njeri, aq më tepër ëndrra. Përfitojmë nga uji i saj i pakët dhe ecim një copë herë poshtë këmbëve të urës.
Më parë kemi qenë përballë dy zgjedhjesh: të ecim mbi urën tashmë pasarelë, apo të udhëtojmë afër 20 minuta me makinë duke ndjekur itinerarin Tepelenë-Ura e Leklit-Dragot-skaji tjetër i urës. Tregohemi të matur, zgjedhim rrugën e dytë. Kush dreqin e di nëse do të mbajnë ato dërrasat e hallakatura mbi urë!
Artan Saka ka punuar deri para pak kohësh në Bashkinë e Tepelenës si specialist ndërtimi. Ka një shtëpi dhe një dyqan fare pranë urës. Si miqësohemi, bashkë me të nisim të bëjmë një historik të shkurtër të “urës së nëmur”. Këmbët e para mbi shtratin e lumit i nguli Ali Pasha, me sa duket pa sukses.
Kur garnizoni italian u vendos në Tepelenë, më 1918, gjeti këtu një varkë që e kalonte lumin në kohë të mbara. Vendasit kësaj kohe i thonë “Italia e parë”, për ta dalluar nga Lufta e Dytë Botërore. Me sa duket, që në atë kohë italianët kishin nisur të interesoheshin se çfarë duhet të bënin me ato këmbë të gurta të mbetura pa urë, porse Lufta e Vlorës e 1920-s ua prishi planet.
Në botimet e shumta që përshkruajnë luftën italo-greke të viteve 1940-1941, kjo urë nuk përmendet fare. Përmendet ajo e Dragotit, e Subashit, për këtë tonën asnjë fjalë për be. Me sa duket, kalimi i Vjosës në këtë anë vazhdonte të ishte me varka.
Artani ka mësuar se gjatë “Italisë së dytë” ura u ringrit. Bashkë me të u ndërtua edhe një rrugë në bregun përballë Tepelenës, që lidhte fshatrat e zonës së Dervenit.
Pas luftës ura ra sërish. Varkat vazhduan edhe për shumë vjet të kalonin njerëzit matanë. Vetëm andej nga fillimi i viteve ’50 ura qenka rindërtuar sërish. Ishte ngritur një ndërmarrje bujqësore dhe shteti kishte nevojë që punëtorët e fermës të kalonin përditë Vjosën. Kështu ka vazhduar më pas historia e saj. Riparimi i fundit është bërë diku andej nga viti 1995. Që prej asaj kohe, asgjë.
Grupit të miqve i janë shtuar edhe njerëz të tjerë. Edi Halili është ish-kryeplak i fshatit. Atij i kujtohet se si një herë, “andej nga 1973”, thotë ai, një bashkëfshatar po kalonte urën me një goxha sustë krevati mbi kurriz. “Ishte dimër – tregon Edi – të përlante era.
Ismaili i ngratë mezi priste të shkonte në shtëpi t’u tregonte sustën e re. Asokohe ajo ishte gjë e madhe. Por era e mori përpara, ra bashkë me sustën në lumë. E gjetën disa kilometra më përposhtë. E mbaj mend këtë se atë burrë e njihja”.
Një copë herë lodhemi kot teksa mundohemi të gjejmë shenjat e këmbëve të para kohës së Aliut. Hasim vetëm në përforcimet që kanë bërë italianët me gurë të marrë nga kalaja. Mbi urë kalon vetëm ndonjë djalosh që e di mirë se ku duhet shkelur e ku jo. Dërrasat janë bërë të frikshme. Në mes të urës është hapur një gropë e madhe. Mbetjet e shtrojës së djegur varen poshtë. “Një daja i imi – tregon Artani – është i paralizuar në shtëpi.
Para disa vjetësh, një nga dërrasat e kalbura u shemb dhe ai dëmtoi shtyllën kurrizore. Nuk mjaftoi kjo, por pikërisht në këtë vend një dajë tjetër ra poshtë pikërisht në këtë gropën e shkaktuar nga djegia. Fati desh që ra në një grumbull rëre, pa do të kishte pësuar të njëjtin fat si edhe daja tjetër”.
Një grup turistësh italianë po mundohet të kalojnë mbi urë.
Është vërtet një detyrë e vështirë. Një djalë nga fshati u zgjat dorën me mirësjellje. I takojmë matanë urës. “Bel posto, brava gente”, – përsërisin italianët pareshtur. Ne nuk e dimë nëse e kishin këtë mendim edhe atje, në mes të urës së frikshme. Neve na kujtohen edhe një herë historitë e “urës së nëmur”.
“Afër & Larg” versioni i vërtetë
Në vitet e para të shekullit XVII, një dervish endacak, pas një udhëtimi të stërzgjatur, vendosi të ngulej në Beçisht, një fshat i vogël përballë Tepelenës, në anën tjetër të Vjosës. Kështu thonë se ka nisur historia e çuditshme e njërit prej shqiptarëve më të shquar, Ali Pashë Tepelenës. Djalit të këtij dervishi rufai, që quhej Hysen, i dhanë për grua vajzën çalamane të beut të Këlcyrës. Pasuria e parë ishte vënë. Që prej asaj kohe, vendasit i cilësonin pasardhësit e dervishit me mbiemrin Hyso. Pas Hysenit erdhi Muçoja, që e la Beçishtin dhe vuri në dorë Tepelenën. Pas tij erdhi Saliu, që la dy djem, Myftarin dhe Beqirin. Ky i fundit la një djalë, Islam beun, i cili ishte myteselim i Tepelenës. Islami i besoi kushëririt të tij, Veliut mbrojtjen e fshatrave Hormovë e Lekël. Veliu, me dredhi, i zuri vendin kushëririt në Tepelenë dhe vrau dy gjysmëvëllezërit rivalë. Ai u bë zot i Tepelenës. Gruaja e tij e dytë ishte Hanko, nga paria e Konicës. Veliu ishte i ati i Ali Pashës së ardhshëm. Kështu u kalua nga Beçishti në Tepelenë. Sigurisht, pa urën që më pas do ëndërronte Aliu. Veliu vetë vdiq kur Aliu ishte vetëm 10 vjeç. U rrënua nga alkooli, borxhet dhe mbase, edhe mëkatet e shumta.
Marrim rrugën për në Beçisht. Krejt afër urës trokasim në derën e një personazhi të pazakontë. Ai është Demir Alia, kosovar. Baca Demir i përket atij grupi kosovarësh që dikur e shihnin Shqipërinë e Enver Hoxhës si të vetmen dritë të së vërtetës. Arratiset nga Jugosllavia, por nuk vonon shumë dhe arrestohet. Bën shtatë vjet burg të rëndë politik dhe pas kësaj e internojnë në Beçisht, në lagjen e poshtme, krejt afër urës. Jeton në ish-kovaçanën e fermës. Tashmë i ka kaluar 45 vjet që jeton në anë të Vjosës. Demiri ka një tjetër mendim për të ardhmen e urës. “A e dini ç’ka, – na thotë në dialekt të pandryshuar të Kosovës, – mue me vjen boll keq për urën. Më vjen keq për fëmijët që duhet ta kalojnë dy herë në ditë sapo të nisë tash shkolla. Po ama, sa për vedi them, ma mirë që asht ba kështu. Unë shkoj përditë në Tepelenë, atje e pi kafen. Shumë herë lus Zotin, ishalla po bi nga ura dhe mos ta kem vdekjen e randë në shtrat e kush e di se kur do të më gjejnë”. Demiri flokëbardhë na shkel syrin. Sigurisht që ka bërë shaka me urën. Është e vetmja gjë që i ka mbetur të thotë për urën mbi të cilën ka 45 vjet që kalon pareshtur.
Lart në fshat shkojmë nëpërmjet një rruge të asfaltuar prej 4 kilometrash. Ajo bën kontrast me rrugën poshtë, e cila ka mbetur një zallishte e pluhurosur. Nga koha e të parëve të Aliut kanë mbetur vetëm kujtimet, disa rrënoja në anë të fshatit dhe asgjë tjetër. Edhe një rrap i moçëm, për të cilin thuhej se qe bashkëmoshatar me Pashanë, nuk është më. Një rrufe e shkrumboi përfundimisht gjatë një stuhie dimërore të ardhur nga malet. Tani fshatarët kanë mbjellë një rrap të ri. Ai na duket aq i brishtë, saqë na kujton urën që vetëm pak minuta më parë kemi lënë pas.
Në Beçisht takojmë nënë Zenon. Ndërsa ne rrimë e lavdërojmë rrugën e asfaltuar që na solli lart, ajo psherëtin. “Po more djem, po. Rruga është shumë gjë e mirë. Po ç’e do rrugën po nuk patëm urën? Si do venë këta fëmijë në shkollë?” – bën ajo me kokë nga nipërit e saj. Më i madhi, Mersini, ka bërë vetëm 9-vjeçaren. Të vazhdonte më tej për të do të ishte një aventurë e pakuptimtë mbi një urë që rrezikon të të vrasë. Më i vogli mban me krenari në gjoks një palë çelësa. Ky nuk e ka edhe aq problem urën. Ai e ka marrë tashmë punën: hap e mbyll ujësjellësin e fshatit sipas disa orareve të caktuara. Ura për të është një gjë fort e largët, ndonëse nga shtëpia e tij duket fare mirë.
Poshtë në sheshin e fshatit takojmë një tjetër të moshuar, Lirinë. “Për pak desh ika fare nga kjo botë, – na thotë, – kalova një krizë të fortë zemre. Mbi urë nuk më kalonin dot, kështu që i kemi rënë me makinë rreth e rrotull nga Dragoti e Ura e Leklit. Pata fat e shpëtova, po sikur të më kishte marrë ndryshe puna, nuk do të flisnim sot kështu. Na e kanë bërë rrugën vërtet, porse pa urën ajo është e kotë…”.
Ndërsa flasim, një zjarr i madh ka rënë pas Tepelenës, diku andej nga Veliqoti. Mes resë së tymit duken konturet e Tepelenës. Nuk e dimë edhe vetë nëse qyteti është shumë afër apo shumë larg vendit që i nxori njeriun që e bëri të famshëm kudo në botë. Në sheshin e përzhitur të Beçishtit, në anë të rrapit të ri, përzihen bashkë legjenda, halle, fate… të gjitha të lidhura me një urë që shpesh këmbëngul të mos mbahet në këmbë.
(Autori falënderon përzemërsisht zotin Arsen Çaçi për ndihmën dhe dashamirësinë e treguar gjatë realizimit të këtij reportazhi)
1813
Një doktor përballë rrënojave
Henri Holland (1788-1873), mjek dhe dijetar anglez, mik i Darvinit dhe Valter Skotit, mjek gjithashtu i familjes mbretërore angleze, shërbeu për dy vjet (1812-1813) në oborrin e Ali Pashës, në Janinë. Në 1813 ai ndërmori një udhëtim të gjatë nga Janina drejt Vlorës. Vetëm pak ditë pas qëndrimit në Tepelenë, atij iu vodhën të gjitha materialet studimore që kishte mbledhur nëpër Shqipërinë e Jugut. Ali Pasha dyshonte se mjeku i ri kishte shtënë në dorë sekretin e mistershëm, shumë të përfolur asokohe, të prodhimit të arit nga gurët e thjeshtë. Më poshtë janë disa nga shënimet e lëna prej tij mbi Tepelenën:
“… Tepelena, qyteti i lindjes së Ali Pashës, ndodhet në bregun perëndimor, ose në të majtë të lumit mbi një lartësi gadishullore të formuar nga bashkimi i Bënçës me Vjosën. Saraji madhështor i Vezirit, pothuajse i njëjtë për nga përmasat me atë të Janinës, qëndron në buzë të shkëmbit mbi ujërat e Vjosës. Pranë tij ndodhet një xhami e madhe dhe diku poshtë gjenden rrënojat e një ure të shkatërruar nga prurjet e Vjosës në dimër. Ura është shembur dy ose tri herë, pavarësisht përpjekjeve të shumta të vezirit për ta ndërtuar të qëndrueshme.
Hera e fundit kur u shemb nga përmbytja ka qenë në vitin 1812 dhe që atëherë nuk janë bërë të tjera përpjekje për ta ndërtuar. Kur u ktheva në Janinë, Ali Pasha kërkoi mendimin tim për këtë urë. Në përgjithësi i thashë vezirit që shumë ndërtime ai i kryente shumë më shpejt nga ç’duhej dhe në të njëjtën kohë i propozova një urë me varka, që në përgjithësi ishte më e përshtatshme për atë vend.
Ai tha se një sugjerim i tillë i ishte bërë edhe më përpara, por ai dëshironte të ngrinte një objekt më të qëndrueshëm në qytetin e tij të lindjes. Gjithashtu, shtoi se disa inxhinierë europianë i kishin thënë se ndërtimi aty ishte i pamundur, por ai ishte i paduruar të provonte, mjafton të kishte sukses. Qyteti i Tepelenës ishte i vogël dhe i mjerë dhe vetëm saraji dhe qëndrimi me raste i vezirit aty i japin rëndësi qytetit. Këtu ekziston një besëtytni popullore, sipas të cilës vendi është i destinuar të mos mbajë më shumë se 100 shtëpi.
Çdo shtëpi që ndërtohet kur kalohet ky numër shkatërrohet nga një fatkeqësi. Ky lloj besimi është i veçantë në një qytet që mund të kishte dyfishin e shtëpive të tanishme.
Popullsia është krejtësisht shqiptare. Për shkak të lidhjes që Aliu ka me vendlindjen dhe besimin te besnikëria e tyre, shumë prej tyre kanë zënë ofiqe të larta në rajone të ndryshme të zotërimeve të tij.
Unë shkova në saraj për t’i dorëzuar letrat që kisha nga Ali Pasha, Jusuf Agës, i cili komandonte këtu në mungesë të vezirit. Ky njeri me origjinë maure ishte njeri nga shërbyesit më besnikë të Ali Pashës dhe në këtë trevë ai zotëron një pushtet që mund të kontrollohet vetëm nga zotëria i tij. Këtë ndikim ai e ka fituar jo aq nga gjatësia e shërbimit të tij (sepse ka qenë me Aliun që kur ky ishte fëmijë), sesa nga mizoria e temperamentit që e ka mundësuar të kryejë çfarëdo shërbimi.
Nga një burim i fshehtë mësova se ishte pikërisht ky njeri që njëzet vjet më parë kishte pjekur të gjallë një person që ishte bërë i urryer për vezirin, të cilit i vrau gjithë familjen, një ngjarje kjo që e kam përmendur edhe më parë…”.
(Henri Holland, mjek tek Ali Pasha, përktheu Arbëra Dobi, “Migjeni”, Tiranë 2008)-host.al