Tepelenë/ Përkujtohet 100-vjetori i rënies së ‘Heroit të popullit’ Selam Musa Salaria

Në qytetin e Tepelenës u përkujtua sot 100-vjetori i rënies të “Heroit të Popullit”, Selam Musa Salaria.

Në ceremoninë e organizuar ishin të pranishëm Prefekti i qarkut Gjirokastër, Astrit Aliaj, kryetari i bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi, nënprefekti Avni Lala si dhe veteranë.

Në fjalën përshëndetëse Prefekti Aliaj vlerësoi rolin dhe kontributin e heroit të popullit që dhe pse vitet kalojnë, sakrifca sublime dhe akti i përmasave legjendare të këtij burri me zemër graniti, mbetet burim frymëzimi dhe etalon i dashurisë për atdheun.

Ndër të tjerash, Aliaj theksoi rëndësinë që pati Selam Musai në Luftën e Vlorës 1920, ku ra heroikisht për çlirimin e saj duke shprehur mirënjohjen dhe respektin për veprimtarinë patriotike të tij.

Ceremonia vijoi me vendosjen e kurorave me lule pranë bustit të Heroit të Popullit Selam Musa Salaria.

Selam Musai lindi më 1860 në fshatin Salari të Tepelenës nga një familje me tradita patriotike.

Ai ishte udhëheqës i kryengritjeve në Vlorë dhe ra heroikisht për çlirimin e saj.

Selam Musai udhëhoqi fshatarët e Labërisë kundër forcave okupuese italiane me garnizonin e Kotës, Drashovicës, Kaninës e rrethinave të Vlorës.

Në luftime, u shqua aftësia e tij udhëheqëse dhe trimëria e tij, në luftimet që shkuan deri në trup më trup në “Qafë të Koçiut” dha jetën për çlirimin e vendit më 12 qershor 1920, dhe u bë simbol i patriotizmit, vendosmërisë dhe heroizmit popullor të Labërisë e mbarë Shqipërisë./atsh

Loading...