Një studim i bazuar mbi një kërkim të Institutit Italian të Gjeofizikës dhe Agjencisë Hapësinore Evropiane, që është publikuar në revistën ndërkombëtare ‘Scientific Reports’ ka ardhur në përfundim se tërmetet mund të parashikohen nga vrojtimi i atmosferës.
Sipas studimit, veçanërisht Jonosfera është zonë që gjendet në 50-1000 km kuotë, nga ku mund të vrojtohen zhvillime që lidhen më parashikimin e tërmeteve të paktën mbi 5.5 të shkallës Rihter, në një thellësi brenda tokës deri në 50 km.
Statistikat e mbledhura nga 3 satelitët që gjenden në Jonosferë, në një lartësi prej 500 km, të cilët studiojnë fushën magnetike të tokës, konfirmojnë se gjatë fazës përgatitore të një tërmeti të madh, ekziston një lidhje e fortë dhe pasqyrim mes Litosferës, pra zonës ku lindin tërmetet në tokë, dhe Jonosferës.
Në këtë zonë të lartë të atmosferës tokësore, ekziston një përputhje statistikisht e lartë me disa anomali elektromagnetike dhe lëkundjet e forta sizmike.
Megjithatë, ekspertët thonë se duhen studime të mëtejshme, dhe se ende nuk mund të konfirmohet parashikimi i tërmeteve të mëdha duke u bazuar me këtë metodë të re nga Jonosfera.