Termocentrali i Vlorës, investimi që u kushtoi taksapaguesve 130 milionë dollarë, por që nuk u vu asnjëherë në punë, do të jepet me koncesion te privatët

Termocentrali i Vlorës, investimi që u kushtoi taksapaguesve 130 milionë dollarë, por që nuk u vu asnjëherë në punë, do të jepet me koncesion te privatët. Ministria e Energjisë ka hapur në datën 31 dhjetor zyrtarisht procedurat për të dhënë me koncesion për 20 vite termocentralin, i cili ka një fuqi të instaluar prej 97 megavatësh.

Sipas dokumenteve të shpallura në faqen e Agjencisë së Prokurimeve Publike, privati do të investojë 58 milionë euro për të riparuar defektet e termocentralit, si dhe për të ndryshuar sistemin e prodhimit të energjisë, nga naftë që është aktualisht, në gaz për të ulur kostot.
Dhënia me koncesion nënkupton që pronësia e TEC-it të Vlorës do t’i mbetet shtetit. Kompania fituese do të ketë të drejtën e shfrytëzimit të termocentralit për 20 vite, duke prodhuar energji dhe duke e shitur atë në shtet, ose në treg të lirë. Në dokumentet parapake të tenderit, Ministria nuk ka marrë përsipër blerjen e energjisë që do të prodhojë privati nga TEC-i. Por, burime nga kjo Ministri thonë se fillimisht do të priten ofertat, e në bazë të tyre do të negociohen kushtet më të përshtatshme.

Termocentrali i Vlorës lindi si një ide e Bankës Botërore, e cila organizoi edhe procedurat e tenderit. Vepra u ndërtua nga një kompani italiane e quajtur “Technimonti”, e cila u pagua 130 milionë dollarë, por dorëzoi një termocentral jofunksional dhe defektoz. Që nga përfundimi në vitin 2011, TEC-i i Vlorës ka qenë në konservim, pa prodhuar asnjë ditë energji elektrike, për shkak të defekteve dhe kostos së lartë të prodhimit me naftë./TCH

Loading...