Thellohen hetimet për vdekjen misterioze të 34-vjeçarit shqiptar në Itali, zbardhen dëshmi të reja

Vrasja e 34-vjeçarit shqiptar, Klaudio Myrtaj në Itali vijon të jetë ende një mister, i cili është nën hetim nga autoritetet ndërsa detaje të reja dalin në dritë.

Dyshohet se i riu u vra me pistoletë me silenciator teksa ishte duke punuar në një punishte, dhe plumbi i ka prekur kokën duke i marë kështu jetën. Sipas dëshmitarëve të ngjarjes kur mbërriti ndihma e parë, viktima po merrte frymë, por nuk mund të fliste.

Ndërkohë autoritetet kanë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë për të zbuluar autorin. Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, hetuesit nuk përjashtojnë asnjë pistë. As atë të drogës, megjithatë kryesorja është ajo që lidhet me motive pasioni, xhelozie. Autoritetet e prokurorisë po vlerësojnë çdo hipotezë për të zbardhur vrasjen e shqiptarit, teksa kanë ngritur dyshimet se pas vrasjes mund të qëndrojë edhe dora e një gruaje.

“Nuk ishte një e shtënë prej profesionisti. Kemi përballë një vrasje prej diletanti”. Kjo është e vetmja deklaratë e lëshuar nga kreu i zyrës së Prokurorisë së Cuneo. Autoritetet kanë qenë mjaft të rezervuar sa i takon hetimeve. Deri më tani nuk ka asnjë urdhërarrest të lëshuar, ndërsa karabinierët kanë marrë dëshmitë e disa personave, mes tyre edhe atë të partneres së shqiptarit, raportojnë mediat vendase.

Loading...