“Agroinnoeco” një projekt i bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian po zbatohet në 4 rajone, Shqipëri, Bullgari, Qipro dhe Greqinë Perëndimore, me qëllim mbështetjen e sipërmarrjeve inovative në industrinë agroushqimore, përmes krijimit të një procesi trajnimi.
Në këtë kuadër është çelur një konkurs në të 4 rajonet pjesëmarrëse, ku ftohen të marrin pjesë sipërmarrës potencialë në industrinë agroushqimore që duan të zhvillojnë një plan biznesi bazuar në idenë e tyre inovative.
Propozimet duhet të dërgohen në formë elektronike deri në datën 13/12/2018, përmes faqes zyrtare www.agroinnoeco.eu.
Propozimet do të vlerësohen nga panele të pavarura ekspertësh që mbulojnë administratën publike, organet akademike dhe hulumtuese, sipërmarrësit e rinj inovatorë, aktorët / investitorët financiarë dhe përfaqësuesit e biznesit.
15 propozimet më të mira të përzgjedhura nga vendi do të integrohen në procesin e parainkubimit të zhvilluar brenda projektit dhe do të mbështeten nëpërmjet një eksperience interaktive të të mësuarit dhe trajnimi për të zhvilluar një plan biznesi bazuar në idenë e tyre të biznesit./atsh