Thyhet marrëveshja Kosovë-Shqipëri, çfarë po ndodh në Morinë?!

Përpjekjet e shqiptarëve për të kërkuar azil në Bashkimi Europian duke kaluar përmes Kosovës, kanë shtyrë policinë të rikthejë kontrollet e dyfishta në Morinë. Vendimi bie ndesh me marrëveshjen e dy qeverive. Policia e Kukësit thotë se situata ka të bëjë me infrastrukturën.

Prej vitesh qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës premtojnë heqje të kufirit klasik mes dy vendeve, lehtësim të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave pa tarifa e burokraci. Kjo megjithatë kryesisht, siç edhe është pranuar në takime dypalëshe, ka mbetur në retorikë.

Por ndërsa “lufta” tregtare e pagëzuar si “patatofobi” ka penguar bashkimin doganor, prej 1 tetorit Policia e Kufirit në Kukës i është rikthyer pas tetë vjetësh kontrollit të dyfishtë të udhëtarëve, duke shkaktuar radhë dhe probleme. Kontrolli i dyfishtë, në hyrje dhe dalje, është në shkelje të marrëveshjeve dypalëshe.

Zyrtarisht sipas Drejtorisë së Policisë së Qarkut Kukës rikthimi i kontrollit të dyfishtë është për shkak të infrastrukturës së re të ndërtuar në Morinë, ku duhet të vendosen të dy policitë, por ku ajo e Kosovës ende nuk është vendosur.

Megjithatë kryetari i Degës së Doganës në Morinë, i tha BIRN se ishte informuar që kontrollet e dyfishta kishin të bënin me azilkërkuesit.

“Me sa jam informuar rifillimi i kontrolleve në Morinë ka ndodhur për shkak të azilantëve, kryesisht të atyre që janë kthyer dhe nuk kanë të drejtë të hynë në vendet e BE-së për një afat të caktuar dhe të atyre që kanë thyer rregullat e Shengenit”, tha Kateshi.
Shqipëria ishte një nga vendet me numrin më të lartë të azilkërkuesve krahasuar me popullsinë, në vendet e BE vitet e fundit. Sipas Eurostat 125 mijë shqiptarë ose 4.5 përqind e popullsisë rezidente aplikuan për azil nga viti 2015-2017. Rreth 42 mijë prej tyre kanë qenë më pak se 18 vjeç dhe 57 mijë kanë qenë mes 18 dhe 34 vjeç.

Azilantët dhe premtimi për heqje kufiri
Ironikisht dyfishimi i kontrolleve në kufirin Shqipëri-Kosovë ndodh tre muaj para datës së premtuar për “heqjen” e kufirit klasik mes dy vendeve. Me 1 gusht të këtij viti, në Skenderaj të Kosovës, ministri i Diasporës së Shqipërisë, Pandeli Majko, u tha të pranishmëve se nga data 1 janar 2019, fillon lëvizja e lirë midis Shqipërisë dhe Kosovës duke thënë se ky është vendim i kryeministrit Edi Rama.

“Kosova dhe Shqipëria nuk do të kenë më kufi klasik mes vete. Ata që vizitojnë dy vendet nuk do të ndalen më nga policët kufitarë të të dyja anëve”, tha Majko në Skënderaj në fillim të gushtit. Të njëjtën gjë ka premtuar edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj nga Vlora pak kohë më parë.

Por ndërkohë marrëveshjet e firmosura mes dy shteteve shkelen në mënyrë të përsëritur herë nga njëri vend dhe herë nga tjetri, ashtu siç ka ndodhur edhe me kontrollin e dyfishtë në kufi. BIRN gjeti se për të eliminuar këtë kontroll është nënshkruar një marrëveshje dypalëshe dhe mes dy vendeve ka një protokoll bashkëpunimi.

Marrëveshja “Një ndalesë, një kontroll”, është nënshkruar nga dy qeveritë në vitin 2009 dhe ka hyrë në fuqi në vitin 2010. Ajo është pasuar nga një marrëveshje e ngjashme në vitin 2011 dhe nga një protokoll mes ministrive të Punëve të Brendshme në atë kohë. Në zbatim të saj janë bërë edhe vendime të qeverive përkatëse, ku parashikohen edhe arsyet pse ajo mund të pezullohet nga njëra palë, përfshi sigurinë publike e masa të tjera të ngjashme.

Por në rastin konkret rikthimi i kontrollit, siç mësoi BIRN nga oficeri Marenglen Kapaj, është vendosur me një urdhër nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe në motivacionin zyrtar nuk përmendet motivet për këtë vendim.

Zyrtarisht Policia e Shtetit i tha BIRN se kontrolli i dyfishtë është i përkohshëm dhe ka të bëjë me infrastrukturën. “Shkak për rifillimin e kontrolleve të dyfishta është bërë infrastruktura e re në Morin ku policia e Shqipërisë e atashuar në Vermicë pranë policisë Kosovës është tërhequr në Morinë, në pritje që edhe policia e Kosovës të vendoset në Morinë”, tha zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Kukësit Diana Deda.
Por punonjës të Policisë së Shtetit i thanë BIRN në kushte konfidecialiteti se arsyeja e vërtetë e rivendosjes së kontrolleve të dyfishta ishte emigracioni i paligjshëm i shtetasve shqiptar drejt vendeve të BE-së dhe thyerja e rregullave të Shengenit nga shtetasit shqiptarë .

Burime të policisë kufitare dhe atyre doganore në Morinë të Kukësit kanë bërë të ditur për “BIRN ” se frenimi i azilkërkuesve nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së është emergjencë.

Edhe drejtuesi i Degës së Doganës së Morinit në Kukës, Ergys Kateshi dha version të ndryshëm nga ai i policisë. Sipas Kateshit vendimi është marrë pasi policia e Kosovës nuk kishte marrë në konsideratë një kërkesë të Shqipërisë për të bllokuar në kufi persona që mund të kërkonin azil. Kateshi përmend edhe një listë me persona që kishin humbur të drejtën të udhëtonin në “Shengen” por që përdornin Kosovën për të kaluar këtë pengesë.

“Presioni ndaj policisë kufitare është i madh dhe kjo e fundit ka marrë një masë të tillë. Kosova që nuk i ka këto probleme ndaj nuk ka rifilluar kontrolle të dyfishta”, shprehet Kateshi. Ai thotë se situata ka krijuar probleme edhe për doganën.

Radhë dhe pakënaqësi në kufi
Rifillimi i kontrolleve të dyfishta në pjesën e Shqipërisë ka shtuar radhët e gjata në pikën e kalimit doganorë, që ishin eliminuar në një farë mënyre që prej 8 vitesh.
Rikthimi i kontrolleve të dyfishta në pikë-kalimin kufitar Morinë-Vermicë, kryesorja që lidh Kosovën me Shqipërinë ka shkaktuar pakënaqësi në mesin e drejtuesve të automjeteve dhe udhëtareve sidomos atyre që udhëtojnë me autobusë.

Alban Ismajli, drejtues i një mjeti privat 20 vendesh që shërben në linjën Bajram-Curri-Tiranë, i tha BIRN se atij i duhej të kalonte disa herë në doganë, pasi që prej përfundimit të “Rrugës së Kombit” në vitin 2009, të gjitha automjetet që udhëtojnë nga Tropoja për në Tiranë kalojnë përmes Kosovës dhe më pas në Morinë të Kukësit. Ismajli tha se me rifillimin e kontrolleve të dyfishta në Morinë të Kukësit, ka zgjatur kohën e udhëtimit, i cili përfshin ndalesë të detyruar edhe në pikën e pagesës në autostradë. “Ndërsa në pikën e kalimit kufitar në Tropojë ka vetëm një ndalesë, në Morinë të Kukësit ka filluar kontrolli i dyfishtë duke na e bërë të vështirë udhëtimin, por jemi të detyruar të zbatojmë ligjet”, tha Ismajli.

Të njëjtin shqetësim ka edhe shoferi i një prej autobusëve të linjës Tiranë-Prishtinë, i cili nuk pranoi të jepte emrin duke thënë se punonjësit e pikës kufitare mund ta merrnin inat e ai duhej të kalonte aty çdo ditë. Ai megjithatë tha se situata ishte “katastrofë”. Sipas tij kontrolli i dyfishtë ka zgjatur kohën e udhëtimit me të paktën 30 minuta.

Situata është përsëritur edhe më herët. Një vendim të njëanshëm për rifillimin e kontrolleve të dyfishta e kishin marrë në nëntor të vitit 2015 edhe autoritetet e Republikës së Kosovës. Kontrollet zgjatën vetëm për pak kohë dhe u arsyetuan asokohe si proces që ndodh në kuadër të liberalizimit të vizave për Kosovën.
Dy vendet ndërkohë po përgatiten teknikisht për të pasur një doganë në të njëjtin mjedis. Drejtues të policisë dhe doganave i thanë BIRN se punimet ishin në përfundim, ndërsa mbeteshin për tu zgjidhur detaje teknike dhe përshtatja e kodit doganorë. /Birn

Loading...