‘Ti Shqipëri s’më jep nder!’ – Të rinjtë e PD-LSI rreshtojnë këpucë para Kuvendit

Të rinjtë e opozitës së madhe, FRPD dhe LRI janë bashkuar para Kuvendit të Shqipërisë, për të protestuar në një mënyrë simbolike, që përfaqëson largimin e të rinjve dhe jo vetëm nga vendi.

Në duar, të rinjtë e këtyre dy forumeve mbajnë një parullë të madhe ku shkruhet “Ti Shqipëri s’më jep nder, më jep emrin mërgimtar”. Po ashtu, ata kanë rreshtuar disa palë këpucësh, të cilat përfaqësojnë largimin e shqiptarëve nga vendi.

Kryetari i FRPD, Belind Këlliçi tha se mesazhi është i qartë, ndërsa fajësoi kryeministrin dhe qeverinë e sotme për emigrimin masiv të shqiptarëve.

“Simbolika është mjaft e qartë, kemi ftuar të rinjtë të vijnë me këpucë për të afërmit, familjarët që kanë ikur nga vendi. Shqipëria është përballur me një numër të madh të ikurish pasi ka humbur shpresa në këtë vend, të rinjtë s’kanë siguri.

Kemi ardhur në shenjë paqeje. Ftojmë policinë të mos hedhin gaz, por të sjellin një palë këpucë sepse jam i bindur që ata njohin dikë që ka emigruar, pasi në po bëjmë hapa pas lidhur me integrimin evropian. Kemi mbi 110 mijë të rinj që kanë lënë Shqipërinë.

Është një protestë simbolike për të dhënë një mesazh shumë të qartë, që të rinjtë s’duhet të ikin. Rama premtoi 300 mijë vende pune, por 300 mijë shqiptarë plotësuan Lotarinë Amerikane.

Ky apel i drejtohet sot këtij parlamenti e të gjithë qytetarëve, për të menduar për arsyen se përse ata kanë ikur. Do rrimë të heshtur, sepse është simbolika ajo që flet. Më pas, pasdite do i bashkohemi protestës së opozitës”, ka thënë Belind Këlliçi.

Loading...