‘Tik- Tok’ e pëson keq, paditet nga prindërit

Fondacioni për kërkimin e tregut me bazë në Amsterdam të Holandës paditi sot platformën popullore të mediave sociale me video të shkurtra TikTok për “neglizhencë lidhur me ofrimin e sigurisë dhe privatësisë së fëmijëve”.

Fondacioni i Kërkimit të Informacionit të Tregut (SOMI) përmes një deklarate bëri të ditur se ka paraqitur një kërkesë prej 1.4 miliardë eurosh si dëmshpërblim, e cila u bë në emër të 64 mijë prindërve.
Fondacioni pretendon se TikTok nuk merr në mënyrën e duhur lejen për mbledhjen e të dhënave të përdoruesve fëmijë, duke shtuar se platforma e mediave sociale po bën shumë pak për të mbrojtur fëmijët. Për më tepër, SOMI pretendon se TikTok mbledh shumë më tepër të dhëna sesa është e nevojshme.

TikTok tani po përballet me një kërkesë për dëmshpërblim në një gjykatë të Amsterdamit për pretendimin e shkeljes së ligjeve të ndryshme të Bashkimit Evropian për mbrojtjen e të dhënave.

Një nga themeluesit e SOMI, Cor Ëijtvliet tha se shoqata dhe institucionet përkatëse të BE-së i kanë dërguar ankesa TikTok-ut, por nuk është arritur ndonjë rezultat thelbësor.

Duke folur për mediat lokale në Holandë, një zyrtar nga platforma e mediave sociale, tha se siguria e të dhënave personale është ndër prioritetet e saj.

TikTok-u u siguron prindërve qasje në llogaritë e fëmijëve të tyre në mënyrë që ata të mund të kontrollojnë llogaritë e fëmijëve të tyre nën moshën 16-vjeç, shtoi zyrtari. TikTok lejon vetëm fëmijët mbi moshën 13-vjeç të bëhen anëtarë të platformës me pëlqimin e prindërve të tyre.//AA

Loading...