Tjetër deklarata e fortë nga Greqia: Duam miqësi me Shqipërinë, por jo me çdo kusht!

“Nuk po ushtojmë presion dhe as po bërtasim, duam miqësi, por jo me çdo kusht” deklaroi ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias në një intervistë për mediat greke teksa komentoi arrestimin e kandidatit fitues të zgjedhjeve në Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri.

Kryediplomati grek u shpreh mjaft i shqetësuar në lidhje me zhvillimet e fundit duke kërkuar nga autoritetet shqiptare lirimin e menjëhershëm të Belerit. Ai madje vuri edhe në pikëpyetje ligjshmërinë e arrestimit duke hedhur dyshime se mund te jete i politizuar.
“Tani është e qartë se kryebashkiaku i Himarës Beleri duhet të lirohet. Nuk e kuptoj vazhdimin e ndalimit të tij. Realisht nuk e kuptoj. Të ndalosh një kandidat bashkie 48 orë para zgjedhjeve dhe të mbash paraburgimin derisa ai është zgjedhur nuk është diçka e zakonshme. Duhet të ketë prova të pakundërshtueshme. Uroj te jete me vërtet çëshjte gjyqësore dhe jo nga faktorët politike”, ka thënë Nikos Dendias.

Çështja është shumë serioze, sipas Dendias edhe për këtë arsye ai njoftoi se do të takohet me homologen e tij shqiptare, Olta Xhacka, në Bruksel.

“Për shkak se problemi është jashtëzakonisht serioz, të hënën në mëngjes do të jem në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel, atje do të hamë drekë me ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor. Duhet t’u shpjegojmë shqiptarëve se vetëm duke zgjidhur këto çështje do të vazhdojmë të mbetemi miq të mirë”, ka thënë ai.

Sipas diplomatit, kjo situata mund të ndikojë seriozisht në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë.

I pyetur nëse kjo çështje do të ndikojë lidhur me marrëveshjen që do nënshkruajnë në Hagë, Dendias tha se shpreson që veprimi i autoriteteve gjyqësore të Shqipërisë të mos përbëjë ndryshim qëndrimi politik.

Loading...