Njoftimi i plotë:
Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në cilësinë e autoritetit mbikëqyrës të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, si një e drejtë dhe liri themelore e njeriut, po monitoron me kujdes veprimtarinë e organeve mediatike dhe/ose portaleve online gjatë ditëve të fundit, në lidhje me cenimin e jetës private të qytetarëve.
Duke marrë shkas nga pasqyrimi mediatik i një ngjarjeje familjare në Librazhd, Zyra e Komisionerit vlerëson se publikimi i këtyre pamjeve dhe videove përbën cenim të jetës private me pasoja të rënda, të pariparueshme dhe të pakthyeshme e ku përveç dhunës fizike të ushtruar ndaj individëve të përfshirë në këtë rast, ata mund të përballen me dhunën mediatike, e cila për nga përmasat e pasojave është po aq e rëndë sa vetë aktet e dhunës të ushtruar ndaj tyre.
Zyra e Komisionerit, në referim të nenit 35 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në përmbushje të detyrimeve të ligjit nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar, kërkon nga subjektet e këtij sektori dhe/ose individë/entitete të tjera që përdorin mjete/forma të komunikimit masiv të jenë shumë të vëmendshëm përsa i përket informacionit personal/sensitiv të publikuar/shpërndarë apo detajeve të panevojshme për çështje që nuk përbëjnë dhe nuk i shërbejnë aspak “interesit publik”.
Ushtrimi i të drejtës së lirisë së shprehjes nuk është i pakufizuar dhe duhet realizuar e balancuar e në mënyrë proporcionale me të drejtat dhe liritë e tjera themelore të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, apo në aktet ndërkombëtare ku vendi ynë është palë: Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, Konventa 108 “Për mbrojtjen e individëve nga përpunimi automatik i të dhënave personale” të Këshillit të Evropës, etj.
Zyra e Komisionerit tërheq vëmendjen e organeve mediatike për ushtrimin e veprimtarisë së tyre në funksion “të interesit më të lartë publik”, duke përmbushur me përgjegjshmëri, transparencë dhe etikë parashikimet e legjislacionit në fuqi dhe veçanërisht, dhënien fund të transmetimit, qarkullimit, publikimit apo shpërndarjes me çdo formë/mjet të të dhënave personale në cenim të të drejtës për jetë private.
Redi Skënderaj
Zëdhënës
Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale