Në burimet dokumentare fshati Tragjas del për herë të parë në vitin 1432.
Ai është vendosur në të dy shpatet e një kodre në formë patkoi.
Në sipërfaqe dallohen rrënojat e banesave, qendra e fshatit si dhe rrënojat e një xhamie. Ato janë kryesisht banesa me kat, një, dy apo tre kthinëshe.
Banesë me kat një kthinëshe ruhet vetëm një në Tragjas dhe formohet nga ambjenti përdhesë, i pa banuar dhe ambjenti i katit i banuar, me shkallë të jashtme.
Shembulli me dy kthina ka një kompozim të shtrirë, duke pasur një katua të vetëm në katin përdhe, dhe dy ambjente banimi në kat.
Blloku i shkallëve, përmban si zakonisht qemerin cilindrik, nën të cilin kalohet në katua. Banesa me tre kthina ka një katua të vetëm, ndërsa dy volumet e tjera janë të mbushura.
Në katin e banuar të tre ambjentet kanë hyrje të drejtpërdrejtë nga jashtë, pa ndërlidhje nga brenda. Në qendër është vendosur shtëpia e zjarrit, me vatër në mes, ndërsa në të dy krahët e saj dy oda me oxhak dhe përkatësisht me ambjent sanitar të veçant.
Në vitin 1848, fshati vizitohet nga shkrimtari dhe peizazhisti i famshëm anglez Edward Lear, i cili përveç përshkrimit të traditave dhe momenteve nga jeta e përditshme e banorëve, jep një përshkrim interesant të arkitekturës së banesave të shoqëruar me akuarele, të cilat na transmetojnë një pamje të gjallë të Tragjasit në mesin e shek. XIX.
Për shkak të qëndresës që treguan banorët kundër pushtuesve Nazistë gjatë Luftës së Dytë Botërore, fshati u dogj nga forcat gjermane dhe aktualisht ruhet në gjendje rrënojë, si dëshmi e kësaj qëndrese ashtu siç ruhen në gjendje rrënojë shumë vendbanime që u shkatëruan gjatë Luftës së Dytë Botërore në gjithë Europën.