16 vite pas tragjedisë së 9 Janarit, familjarët e viktimave që humbën jetën kërkojnë ende drejtësi.
Të zhgënjyer nga të gjitha shkallët e gjyqësorit, shpresa e tyre e vetme tashmë është SPAK.
Nikoll Mhillaj, kryetar i shoqatës 9 Janari: Ne kemi bërë shumë kërkesa për ta kaluar tek krimet e rënda, por nuk e kanë bërë.
Tani me këtë rast që është krijuar SPAK dhe po bën bujë sikur do vendosë drejtësi në Shqipëri, i bëjmë thirrje të marrin në dorë atë dosje në Prokurorinë e Vlorës dhe ta zbardhin.
Aty janë shkruar e zeza mbi të bardhë dhe është e vërtetuar me gjithçka.
Familjarët kanë emra konkret, duke deklaruar se do të bëjnë një akt padi, ndaj atyre që kanë organizuar trafikimin e fëmijëve.
Nuk kursejnë emrat nga ish Drejtori i policisë Bajram Ibraj, por edhe ish Ministrat Igli Toska dhe Pandeli Majko.
Për Ndoc Bjeshkën, i cili ka humbur djalin e tij të vetëm në këtë tragjedi, thekson se kjo ngjarje duhet të zbardhet pasi shteti italian ka deklaruar se janë gjetur trupa të pajetë të cilët janë fshehur nga vetë shteti shqiptar dhe për këtë ai ka sërish një apel për Prokurorët e SPAK.
Tragjedia e 9 Janarit ndodhi në afërsi të Vlorës në vitin 2004, kur gomonia me 36 klandestinë u nis në det të trazuar 5-6 ballë në drejtim të Italisë nga gjiri i Palasës.
Si pasojë e mbytjes së gomones 28 persona humbën jetën ku viktimat ishin kryesisht nga zona e Shkodrës dhe të moshës nga 15 në 33 vjeç.