Tragjike/ Mjekët nuk i dhanë rëndësi dhimbjes së kokës, vdes 22-vjeçari

Një student ka vdekur tragjikisht në Britani pasi mjekët nuk i dhanë rëndësi dhimbjeve të tij të kokës duke i quajtur një pasojë e “ankthit”.

Një seancë dëgjimore e mbajtur dje ekzaminonte incidentet para vdekjes së Johnny Alfrey në qershor të viit të kaluar. Nëna e Johnny, Julie Alfrey u tha njerëzve në seancë se djali i saj 22-vjeçar nga zona e Manchester kishte nisur të ankohej për lodhje dhe “rëndesë në këmbë” kur ecte, një muaj para se të ndërronte jetë. Ditët në vijim ai kishte nisur të villte dhe të kishte migrena të forta, si dhe nuk arrinte të flinte ose të ecte. Julie e çoi të birin në klinikën e emergjencës në Rochdale më 23 maj, ku ai kishte humbur ndjenjat teksa prisnin në radhë për doktorin.

“Ai u bë qullë në djersë dhe buzët iu bënë ngjyrë blu,” tha ajo. “Duhet të vrapoja për të gjetur dikë. Ai ra në karrigen e tij dhe ata e morën brenda”.

Analizat tregonin një ritëm të parregullt të zemrës por doktorët thanë se kjo “nuk ishte problem pasi ishte i ri”. Johnny më pas ishte dërguar në spitalin e Fairfield për të tjera analiza, por në këtë kohë Julie thotë se buzët e tij ishin bërë ngjyrë blu.

Dy ditë më vonë Johnny u dërgua përsëri në emergjencë ku nënës së tij iu tha se simptomat “me shumë gjasa vinin nga probleme të shëndetit mendor”.

Ajo tregon: “Doktori më tha se është nga ankthi dhe se nuk mund të trajtojnë ankthin aty, dhe më përcollën”.

Disa ditë më vonë Johnny u zbulua se kishte funksionim anormal të mëlçisë dhe u shtrua në spital. Nëna e tij thotë se i riu u la të dilte nga spitali kur gjërat ishin përkeqësuar.

Ai nuk rrinte dot në këmbë. Thërriste ‘Ndihmë, mama, çfarë po më ndodh? Unë po vdes”.

Më 8 qershor 22-vjeçarit iu tha në spital se kishte dështim të mëlçisë dhe se ishin dëmtuar dhe veshkat, pa përcaktuar se nga se. Babai i tij Chris tha: “Ai vijonte të më pyeste nëse do të vdiste. Vetëm donte të mbante dorën time, nuk e lëshonte”. Megjithe katastrofën që shpalosej doktorët nuk e kuptonin çfarë po e vriste Johnny. Ai u dërgua më pas në spitalin e Wythenshawe ku vdiq më 24 qershor.

Në homazh për të birin, Julie tha: “Ishte një person i dashur e i sjellshëm. Nuk i tha ndonjëherë një fjalë të keqe njeriu, kishte plane për jetën”.

Loading...