Tragjike/ Të premten erdhi nga Gjermania e sot u vra, dalin detaje nga vrasja e 30 vjeçarit

Një vrasje e rëndë ka ndodhur sot në Kaçanik. I vrarë ka mbetur një 30-vjeçar me inicialet H.B, derisa është plagosur edhe vëllai i tij, 32-vjeçari me inicialet K.B. Të dyshuar për rastin janë dy persona, të cilët gjenden ende në arrati. Gazeta Online Reporteri.net ka bërë një përmbledhje të krejt asaj çka dihet deri tash për këtë ngjarje që tronditi vendin.
Një 30-vjeçar është vrarë sot në Kaçanik, tek vendi i quajtur “Fusha e Pajtimit”. I plagosur nga të shtënat ka mbetur edhe vëllai i tij, 32 vjeçar, i cili është duke u trajtuar në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.

Rastin për Gazetën Online Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Ferizajt, Kanun Veseli.

“Ju njoftojmë se sot në ora 14:00 kemi marr një informacion se në rrugën magjistrale Ferizaj – Kaçanik tek vendi i quajtur “Fusha Pajtimit”, përballë “Varrezave të Dëshmorëve, 2 persona te moshës madhore kanë marr plagë nga arma e zjarrit. Nga informatat e para njeri për pasojë ka ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes e konfirmuar nga ekipet mjekësore, ndërsa tjetri është transportuar për ndihmë mjekësore në Ferizaj e më pas është transportuar për QKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor. Ne vendin e ngjarjes janë ekipet e policisë”, ka konfirmuar Veseli.
Sipas raportimeve të mediave, i vrari jetonte në Gjermani. Raportohet se i njëjti kishte ardhur në Kosovë, të premten. Dëshmitarët kanë thënë për ATV se edhe dorasi jetonte në Gjermani, madje në të njëjtin qytet me të vrarin.

Këto raportime s’janë konfirmuar ende Policia e Prokuroria.

E për moshën dhe inicialet e të vrarit dhe të plagosurit ka dhënë detaje Policia, përmes një njoftimi drejtuar mediave.

“…dy persona kanë pësuar plagë trupore dhe për pasojë në vendin e ngjarjes ka ndërruar jetë personi me inicialet H.B ( M/K) i moshës 30 vjeçar, vdekja e të cilit është konfirmuar nga mjekët kujdestarë, ndërsa plagë të rënda trupore ka pësuar edhe personi i dytë me inicialet K.B ( M/K) i moshës 32 vjeçar i cili për ndihmë mjekësore është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor është dërguar në Qendrën Klinike Universitare ( QKUK) në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Për rastin po dyshohen dy persona. Prokuroria Themelore në Ferizaj, konkretisht Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se motivet e vrasjes së rëndë që ndodhi sot në Kaçanik nuk dihen ende, ndërsa të dyshuarit gjenden në arrati.

Sipas njoftimit për media, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Motivet për këtë ngjarje ende nuk dihen dhe të dyshurit lidhur me këtë rast gjenden në arrati, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Me urdhër të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa, personi tjetër i lënduar është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor”, thuhet në njoftimin për media.

Prokuroria Themelore në Ferizaj thotë se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe janë duke punuar rreth zbardhjes së rrethanave të ngjarjes.

Loading...