Trahanaja një kulturë e vjetër ushqimi

Në këto ditë të ftohta që po vijnë një prej ushqimeve më të ngrohta dhe më të shijshme është edhe trahanaja.

Në Turqi, trahanaja është një kulturë e vjetër ushqimi, por, ashtu si edhe tek ne, mund të konsumohet si në mëngjes, edhe në mbrëmje.

Zakonisht, trahanaja është një ushqim i përgatitur në shtëpi, nga brumi i ardhur i gatuar me kos dhe miell gruri (brumë i thartë me miell gruri që zihet me kos a me qumësht e pastaj thahet në diell e thërrmohet, një lloj qulli pak i thartë që bëhet me këtë brumë).

Procesi i fermentit të trahanasë, i cili ndodh gjithmonë në verë, për shkak të tharjes në temperatura të larta, ka disa përbërës shumë të thjeshtë.

Sipas recetës turke, përbërësit janë: kos i thjeshtë, miell, piper i kuq, qepë dhe domate. Po kështu, trahanaja atje serviret në dy variante, e thatë dhe e lëngët.

Lloji më i zakonshëm i trahanasë është kjo e dyta, e cila është shumë më e thjeshtë për t’u bërë gati si supë.

Megjithatë, edhe nëse ju keni në shtëpi një trahana të thjeshtë (sipas recetës shqiptare vetëm me kos e miell gruri), mund të ndërtoni me të një supë jo të zakonshme. Ja se si

Për të përgatitur supën, fillimisht hidh trahananë në një tas me ujë të ngrohtë bashkë me erëza (piper i kuq, spec i kuq i bluar ose edhe pak piper të zi).

Në një tigan skuq për disa minuta një kokërr qepë derisa të marrë ngjyrë transparente.

Një kokërr domate, të cilën e ke grirë më parë imët, përzieje me qepët. Pas kësaj, hidh trahananë tashmë të zbutur në ujë të ngrohtë.

Nëse ka nevojë edhe për pak ujë, shto duke e kontrolluar që supa të ketë një lëng të trashë. Në fund rregulloje shijen me gjalpë.

Loading...