Transformohet Poliklinika e Vlorës, nga një ngrehinë e vjetër, në një qendër moderne mjekësore

Poliklinika e re e Vlorës, e pozicionuar në qendër të qytetit, është transformuar nga themelet.

Investimi i buxhetit të shtetit me vlerë prej 111 milionë lekësh ka shndërruar ngrehinën e vjetër në një qendër moderne mjekësore, e cila ofron për qytetarët vlonjatë dhe jo vetëm shërbime të specializuara të standardeve europiane, si dhe kushte moderne pune për 70 mjekë dhe infermierë.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Poliklinikën e re, e cila u shërben mbi 150 mijë qytetarëve vlonjatë, por edhe pushuesve të shumtë gjatë sezonit turistik.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se një investim i rëndësishëm është dhe ai i bërë në pajisjet e Poliklinikës, të cilat janë të teknologjisë bashkëkohore.

“Poliklinika është simbol i shëndetësisë në Vlorë dhe ishte një nga investimet që planifikuam ta konceptonim, jo vetëm si infrastrukturë, por edhe si pajisje, për të gjitha shërbimet që do të ofronim për qytetarët. Poliklinika i ofron shërbime 150 mijë banorëve, por edhe pushuesve që vijnë në Vlorë. Janë një staf prej rreth 70 mjekë dhe infermierë që ofrojnë shërbimet këtu, me kushte tërësisht të ndryshuara, me standarde, ku prej dekadash nuk ishte investuar në këtë poliklinikë. Tani quhet xhevahiri i bulevardit”.

Poliklinika ofron 17 shërbime të specializuara, duke filluar nga shërbimi i urgjencës, laboratorit, neurologjisë, kardiologjisë, onkologjisë, nefrologjisë, etj. tashmë të pajisura me aparatura të teknologjisë së lartë.

Ministrja Manastirliu shpjegoi se i gjithë sistemi i pritjes së qytetarëve është me numër elektronik, si dhe qytetarët do të asistohen nga koordinatoret, duke evituar radhët e gjata për marrjen e një shërbimi.

“Është një prej investimeve që ka mbaruar edhe në kohë shumë të shpejtë. Projekti u bë që të kombinohej edhe me investimin e bulevardit. Ndërkohë edhe shërbimet që deri dje merreshin në spital do të merren këtu. Janë 150 mijë analiza, 7 mijë eko, 3 mijë grafi. I gjithë cikli i përmbyllës së shërbimit është në klinikë. I gjithë sistemi i pritjes së qytetarëve është me numër elektronik, edhe për qytetarët me aftësi të kufizuar është në mënyrë elektronike”, – u shpreh ajo.

“Kam 42 vjet në sistemin shëndetësor dhe 20 vjet që shërbej në këtë poliklinikë. Jemi shumë të kënaqur me këto ndryshime”, – u shpreh një nga infermieret.

Risia që ofron poliklinika është edhe ndihma e shpejtë, përmes shërbimit të urgjencës, që është instaluar aty si pjesë e rëndësishme e infrastrukturës. “Kemi vendosur edhe një shërbim të urgjencës para vajtjes në spital. Në fakt shërbimi i vërtetë i urgjencës ofrohet në spital, por për të gjithë ata qytetarë edhe gjatë sezonit turistik, ku kërkohet një ndihmë e shpejtë është sistemuar ky punkti i urgjencës, i cili kombinohet edhe me mikrokirurgjinë dhe për çdo shërbim të shpejtë jepet këtu me të gjitha pajisjes sipas standardeve”, – u shpreh Manastirliu.

Gjithashtu ekipit të spitalit dhe poliklinikës së Vlorës i janë bashkuar këtë vit 11 mjekë që kanë përfunduar specializimin afatgjatë në mjekësi, mes të cilëve kardiologë, imazheristë, mjekë urgjence, pediatër, onkolog, etj./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/435248207059514/?t=0

Loading...