Procesi për mirëmbajtjen e trashëgimisë kulturore është i rëndësishëm dhe vetëm gjatë vitit 2018 janë kryer punime mirëmbajtje në mbi 170 monumente kulture si banesa, objekte kulti, kala etj. Për këtë arsye prioritet për shpenzimet korente të buxhetit të 2019 do të përqendrohen tek mirëmbajtja e monumenteve të kulturës sipas listës së emergjencës së gjendjes së tyre fizike.
Gjithashtu një tjetër objektiv për vitin 2019 i Ministrisë së Kulturës është ”Trashëgimia kulturore, motor zhvillimi” për ta kthyer atë në një vlerë ekonomike.
Trashëgimia kulturore është një potencial i jashtëzakonshëm ende i pashfrytëzuar. Kthimi i saj në destinacion gjithëvjetor turistik dhe nxitës për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik kërkon ruajtjen dhe rehabilitimin e vlerave të saj.
Kombinimi i programit të rilindjes urbane me atë të restaurimit dhe rijetëzimit të qendrave historike është një model suksesi, kombinim i cili do të vazhdojë dhe gjatë 2019. /atsh