Kryeministri Edi Rama nuk mohon mundësinë që zgjedhjet e 25 prillit të shoqërohen me trazira. Nisur nga kërcënimet e Ilir Metës për “prerje dore” dhe tonet e tij të larta nga Vlora, kreu i qeverise tha në emisionin “Zgjedhje 2021” në “Vizion Plus” se nga ai mund të presësh gjithçka duke qenë se tani është jashtë funksionit.
“Nuk shoh filxhan të them të drejtën, por mendoj që Ilir Meta është totalisht jashtë vetes, jashtë funksionit të presidentit, totalisht jashtë kapakut të mendjes, çdo gjë mund të presësh. Zgjedhjet në Shqipëri deri tani nuk kanë asnjë shqetësim. Fushata elektorale deri tani është e civilizuar, duke përjashtuar Metën dhe Saliun. Duan ta mbajnë Shqipërinë në qerthullin e mendjes së tyre, që është e mjegulluar për shkak të reformës në drejtësi.”
Rama shtoi se lideri i opozitës nuk është një njeri i lirë e së është marrë peng nga këta personazhe për të zbatuar disa urdhra.
“ Pa daljen e Saliut dhe Ilirit nga skena, nuk ka mundësi që politika të ngjitet në një skenë tjetër, është e pamundur. Unë besoj që metafora e kukullës shpjegon më së miri natyrën e lidershipit të Lulzim Bashës. Lidershipit të dobët, pa karakter dhe tërësisht të adaptueshëm, sipas programit të kurdisjes. Pra, nga ekstremi i udhëheqësit të një revolucioni imagjinar dhe i atij që bën thirrje për të marrë pushtetin me rrugë alternative, pa zgjedhje, tek version i dhëndrit të mirë-okllaisur për të shpërndarë buzëqeshje dhe premtime, të cilat janë totalisht të parealizueshme. Mirëpo, unë besoj shumë që të dyja këto pozicione ekstreme lidhen me faktin që Lulzim Basha nuk është një njeri i lirë. Lulzim Basha është një njeri i marrë peng, i kapur, që është vendosur aty, për të marrë urdhra dhe për të vepruar sipas këtyre urdhrave.”
Kjo është arsyeja sipas Ramës, pse ai ditët e fundit ka artikuluar shpesh tezën për bashkëpunim me Bashën.
“Kjo është çështje domosdoshmërie, sepse nuk mund të ketë tejkalim të kësaj politike duke pasur në mes Saliun me Ilirin. Pa daljen e Saliut dhe Ilirit nga skena nuk ka mundësi që politika të ngjitet në një skenë tjetër. Është e pamundur.”
Kreu i mazhorancës u ndal edhe tek pritshmëritë për rezultatin e 25 prillit, duke sqaruar se cilat anë numrat që ai do ti konsideronte si humbje..
“Asgjë që nuk është 70, nuk është humbje. 70 është humbje. Nuk ka 70! PS është mes 74 dhe 78. 70 nuk ka, është në ëndrrat e atyre që në 25 prill do të zhgënjehen shumë. PS është një makineri anketimi i opinionit publik.”