Tre muaj në luftë me jetën,tifozi i vogël i Partizanit e humbi betejën

Tre muaj betejë për jetën, por në fund Renisi i vogël nuk ia doli.

Në koma që pas aksidentit të rëndë rrugor të pësuar, tifozi i zjarrtë i Partizanit, Renis Muça, ka ndërruar jetë, duke dëshpëruar familjen e tij, por edhe gjithë ambjentin e Partizanit, që ishin lidhur emocionalisht me djaloshin.

E në fakt, pikërisht tifozët “Ultras Guerrils” të Partizanit, kanë publikuar homazhin për Renisin, që fatkeqësisht nuk ia doli.

Fillimisht ai ishte kuruar në reanimacionin e Spitalit Ushtarak të Tiranës, pas dëmtimeve cerebrale të pësuara në aksident, por falë edhe inisiativë së Partizanit, që u aktivizua në ndihmë të djaloshit, duke e bërë rastin publik në faqen zyrtare të klubit në Instagram, 14 vjecari u transferua në Turqi për një kurim më të specializuar, por fati ka qenë i pamëshirshëm me të.

POSTIMI I ULTRAS GUERRILS

Ndjejmë keqardhje të thellë kur ju japim këtë lajm të rëndë …

Renisi nuk ia doli! Pas atij aksidenti të rëndë në korrik, ku qëndroi 3 muaj në koma, në luftë për të mposhtur vdekjen, tifozi ynë i vogël ka ndërruar jetë dje në darkë në Turqi. Në moshën 14-vjeçare …

Ngushëllime të sinqerta familjes së Renisit nga e gjithë familja e madhe e kuqe! U prehsh në paqe engjëll!

Loading...