Tre persona kanë rënë në prangat e policisë së Vlorës për vepra të ndryshme penale.
Dy prej tyre ishin të shpallur në kërkim, njëri për ushtrim dhune ndaj partneres ndërsa tjetri për ‘heqje të paligjshme të lirisë’ të mbetur në tentativë.
Forcat blu bëjnë me dije se në pranga ka rënë 31-vjeçari i identifikuar me inicialet S.J., banues në Vlorë, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim.
Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Delvinë, u bë kapja dhe ndalimi i 32-vjeçarit L.S., të shpallur në kërkim pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëjetueses së tij.
Gjithashtu është arrestuar dhe një 32-vjeçar i identifikuar si A.Xh., banues në Ksamil, pasi është konstatuar nga shërbimet, në rrugën Sarandë-Ksamil, duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi si dhe gjatë kontrollit të ushtruar i është gjetur një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sattiva.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./a.m/noa.al