Tregohet se një herë e një kohë, mes gomarit dhe ujkut na plasi një debat i nxehtë…

Mos debato me gomarin

Tregohet se një herë e një kohë, mes gomarit dhe ujkut na plasi një debat i nxehtë mbi ngjyrën reale të barit. Gomarit i ishte tiposur se bari kishte ngjyrë të verdhë dhe nuk bënte asnjë lëshim për këtë. Sakaq, ujku nga ana e tij besonte se bari kishte ngjyrë të gjelbër.“Që bari ka ngjyrë të verdhë këtë e di gjithë mileti!” thoshte gomari i vendosur.“O veshgjatë, bari është i gjelbër!” i përgjigjej ujku po aq i vendosur.Debati mes tyre nuk kishte fund.

Sa herë që takoheshin e ndaheshin, muhabeti i vetëm ishte ngjyra e barit.“Po përse nuk shkoni tek mbreti i pyllit e t’ua ndajë këtë mesele?” u sugjeruan disa kafshë të cilave mesa duket u kishte ardhur në majë të hundës debati mes ujkut e gomarit.“Shkojmë?” thanë njëzëri gomari e ujku dhe u drejtuan për tek mbreti i pyllit.Pasi i treguan mbi konfliktin e tyre, mbreti i pyllit uli kokën, u mendua pak dhe u tha:”Kjo çështje kërkon kohë dhe një seancë gjyqi më vete. Prandaj hajdeni nesër në mëngjes herët që ta ndaj një herë e mirë këtë punë!”Atë natë, si gomari dhe ujku panë ëndrra mbi drejtësinë e luanit, mbretit të tyre.Të nesërmen në mëngjes filloi seanca gjyqësore. Luani i dëgjoi me durim si ujkun ashtu dhe gomarin. Të gjithë kafshët e tjera prisnin me padurim zërin e drejtësisë.

Në fund, luani u ngrit në këmbë dhe deklaroi vendimin përfundimtar duke zhgënjyer pothuajse të gjithë kafshët, përveç gomarit:“Ujku do të dënohet me punë të detyrueshme një muaj!”Gomari i këputi një të pëllitur saqë shurdhoi të gjithë sallën. Mandej doli me të katra jashtë.Pasi dolën pothuajse të gjitha kafshët, ujku iu afrua luanit dhe i tha:”Lartmadhëria juaj! A nuk më thoni çfarë ishte ai vendim arbitrar? Përse më dënoni kaq rëndë, për një fakt që e dinë të gjithë? A nuk është bari i gjelbër lartmadhëria juaj?”Luani iu përgjigj:”Sigurisht i dashur ujk. Unë nuk thashë se bari nuk është i gjelbër.”Ujku e pyeti i hutuar:”Po përse më dënuat atëherë?! Unë skam bërë asnjë gabim!”

Luani iu përgjigj:”Vërtet që nuk keni gabuar në ngjyrën e barit, ama keni gabuar rëndë që kur keni pranuar të debatoni dhe polemizoni me një hajvan si gomari! Prandaj vendosa të dënohesh me punë të detyrueshme për një muaj që të nxësh mend e të mos merresh me hajvanë të pamend!”

Loading...