Turizmi motor zhvillimi për ekonominë, 2 miliardë euro të ardhura në 2018

Viti 2018 ka shënuar një bum turistik përsa i përket numrit të vizitorëve në vendin tonë, e si rrjedhojë edhe të ardhurave nga ky sektor në buxhetin e shtetit kanë shënuar vlerën e 2 miliardë euro.

“Kjo vjen jo si arritje e politikave të ndjekura gjatë 5 viteve të fundit nga qeveria”, u shpreh sot ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2019 në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese.

Ai tha se “sot në Shqipëri kemi arritur të flasim për një turizëm të qëndrueshëm ku përmes buxhetit të ri kërkojmë disa elemente shtesë për ta kthyer Shqipërinë në një destinacion turistik europian. Në qoftë se viti 2018 shënoi 20% më shumë rritje nga viti 2017, ne presim që në Shqipëri të vijnë 6 milionë turistë të huaj dhe jam i sigurt që këtë shifër do e arrijmë. Me këto turistë ne mund të themi që buxhetit të shtetit i kemi sjellë rreth 2 miliardë euro të ardhura gjatë vitit 2018, nga të cilat mbi 300 milionë ka qenë fitim i drejtpërdrejtë”.

“Nëse flasim për sektorin e turizmit arritjet janë relativisht shumë të mëdha dhe kjo pasqyrohet dhe në projektbuxhetin e vitit tjetër pra një sektor i cili ka prodhuar kaq shumë të ardhura për ekonominë familjare shqiptare ka vëmendjen më të rritur edhe për vitin e ardhshëm. Kjo shprehet në dy faktorë, e para, në investimet direkte që ne marrim nga buxheti i ri në sektorin e turizmit që kanë të bëjnë me politikat dhe marketingun e destinacioneve turistike shqiptare”, – tha Klosi.

Ai shtoi se “po përgatitemi për herë të parë për plane të menaxhimit turistik të zonave me përparësi për zhvillimin e turizmit, me përgatitjen e hartave dhe filozofisë së ndërtimit të zonave të mbrojtura, zona që ne kemi parë që realisht mund të shndërrohen nga zona vetëm të mbrojtura natyrore në zona të mbrojtura natyrore me vizitueshmëri më të lartë të turistëve shqiptar dhe të huaj”.

“Gjithashtu do vazhdojmë politikat tona që kanë të bëjnë me mbështetjen e shndërrimit të Shqipërisë në destinacion turistik alternativë që të kemi jo vetëm detin si opsion, por të kemi dhe nxitjen më shumë të investimeve në dy projektet e mëdha që janë promovuar shumë gjatë 2018, që janë politikat e 100 fshatrave dhe politikat e argroturizmit”, – vijoi Klosi.

Klosi tha se “ne mendojmë se sektori i turizmit do të marri relativisht më shumë para nga pikëpamja e politikave dhe marketingut dhe të vendosjeve të rregullave në sektorin e turizmit. Gjithashtu janë bërë dhe investime të mëdha në sektorët që ndikojnë drejtpërdrejt në turizëm duke filluar nga infrastruktura me investime konkrete”.

“Në 2019, do të kemi do kemi një listë të plotë të rrugëve të cilat çojnë më shumë në zhvillimin turistik. Gjithashtu viti 2019 do shënojë përveç investimeve në autostrada do shënojë investime të konsiderueshme dhe në infrastrukturën aeroportuale pra mendojmë se vendosja në funksionim e aeroportit të Kukësit, hapja e negociatave dhe fillimi i punimeve për aeroportin e Vlorës dhe mundësisht dhe atë të Sarandës, do shënojë investimin më të madh të ndodhur ndonjëherë në fushën e turizmit. Politikat dhe investimet në infrastrukturë po marrin në buxhetin e këtij viti një vëmendje super të konsiderueshme”, – përfundoi ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.ATSH

Loading...