Autoritetet turke kanë arrestuar 64 përdorues të internetit të akuzuar për shpërndarje lajmesh të pabazuara ose provokuese në rrjetet sociale, në lidhje me koronavirusin e ri.
”Prokurorët turq po kërkojnë gjithashtu 178 të dyshuar të tjerë”, tha Ministria e Brendshme turke.
Qeveria turke ka bërë thirrje për mostransmetimin e informacioneve të rreme që ka të ngjarë të përhapin panik rreth pandemisë së COVID-19.
Koronavirusi i ri ka shkaktuar deri tani vdekjen e katër personave si edhe ka infektuar 359 të tjerë në Turqi, sipas deklaratës më të fundit zyrtare të lëshuar dje në mbrëmje.
Turqia ka ndërmarrë shumë masa gjatë ditëve të fundit dhe sot njoftoi ndalimin e të gjitha ngjarjeve kulturore, artistike apo shkencore deri në fund të prillit.