Një tërmet me magnitudë 5.5 ballë të shkallës Rihter është regjistruar mëngjesin e sotëm në Turqinë qendrore.
Tërmeti është shënuar në një thellësi fokale prej 12 kilometrash dhe epiqendra ishte afër Adanas, sipas Qendrës Sizmologjike Euro-Mesdhetare (EMSC). Lëkundjet janë ndjerë dhe në Osmaniye, Gaziantep dhe Kahramanmaraş. Banorat kanë përjetuar panik dhe kanë dalë në rrugë.
Kujtojmë që Turqia e ka të freskët plagën e tragjedisë së tërmetit të shënuar më 6 shkurt të 2023. Një tërmet me magnitudë 7.8 goditi Turqinë jugore dhe qendrore dhe Sirinë veriore dhe perëndimor.
Nga tërmeti humbën jetën 59,259 persona, ku 50,783 në Turqi dhe 8,476 në Siri. Ishte ky tërmeti më vdekjeprurës në Turqi dhe fatkeqësia natyrore më vdekjeprurëse në historinë e saj moderne.