U arrestuan 800 persona/ Kush është padroni i drogës që hodhi në ‘kthetrat’ e FBI-së bashkëpunëtorët e tij

Autoritetet për zbatimin e ligjit njoftuan sot se një operacion global, i realizuar përmes një platforme të koduar të komunikimit, e zhvilluar nga FBI-ja amerikane, çoi në një seri arrestimesh dhe bastisjesh në të gjithë botën, një goditje kjo e pashembullt kundër bandave kriminale.

Gjatë 18 muajve të kaluar, FBI arriti të kodojë pajisjet e komunikimit të më shumë se 300 grupeve kriminale që vepronin në më shumë se 100 vende, duke i mundësuar policisë ndjekjen e aktivitetit të kriminelëve dhe bisedat e tyre për sulme, transport droge dhe krime të tjera.

Operacioni i quajtur “Mburoja Trojane” përfshiu ndërhyrje të policisë në 16 vende.

Më shumë se 800 të dyshuar janë arrestuar dhe më shumë se 32 tonë drogë të llojit kokainë, kanabis, amfetaminë dhe metamfetaminë janë sekuestruar së bashku me 250 armë zjarri, 55 makina luksoze dhe më shumë se 148 milionë dollarë.

Operacioni i ka fillesat e veta pas goditjes kohë më parë të dy platfomave të koduara, EncroChat dhe SkyECC, që përdorte bota e krimit të organizuar.
Kjo i detyroi bandat e krimit të përdornin telefona të rinj për komunikim të sigurtë.

FBI kishte atë që nevojitej, një aplikacion të quajtur ANOM, që e kishte instaluar në celularët e modifikuar.

Autoritetet Australiane thanë për mediat se njeriu që padashur i ndihmoi në shpërndarjen e aplikacionit, ishte një i arratisur me emrin Hakan Ayik.

Ndërsa pretendohet se Ayik të jetë një padron i drogës, ai ishte ndikuesi kryesor që iu dha mundësi agjentëve të fshehtë të fusin një celular me aplikacionin të cilin ai ua rekomandoi bashkëpunëtorëve të tjerë kriminelë.

“Ai u identifikua për shkak të qëndrimit të tij brenda botës së nëndheshme,” tha një hetues i lartë australian. “Ai ishte një objektiv kryesor si dikush që i besohej dhe do të ishte në gjendje të shpërndante me sukses këtë platformë.”

Raportohet se ai ka jetuar 6 vite në Turqi dhe policia e ka nxitur atë të vetëdorëzohet për sigurinë e tij pas bërjes publike të emrit të tij.

“Duke pasur parasysh kërcënimin me të cilin po përballet, ai është më mirë ta dorëzojë veten sa më shpejt të mundet,” tha Komisioneri Federal i Policisë australiane, Reece Kershaw.
Por kush është Ayik?

I njohur gjithashtu si Joseph Hakan Ayik, 42-vjeçari u lind nga prindër turq në periferi të Sidnejt, ku jetoi për vite me radhë.

I cilësuar nga mediat australiane si “gangsteri i Facebook”, Ayik reklamonte jetën e tij të shtrenjtë në këtë rrjet social, ndërsa dyshohej se ishte i lidhur me banda dhe rrjete droge.

Ai ka jetuar për vite me radhë jashtë vendit që kur u dyshua si pjesë e trafikimit të heroinës në Australi.

Ai u arrestua në Qipro në vitin 2010, por u zhduk pasi përfitoi liri me kusht dhe që prej asaj kohe ka mbetur në listat e të kërkuarve të Australisë.

Policia thotë se Ayik ka vazhduar aktivitetin e tij të paligjshëm edhe jashtë vendit, me një numër të madh bashkëpunëtorësh.

Loading...