Nga Genc Demiraj
Parodistat e Vlorës…
Në këtë qytet Ata e nisën jetën natyrshëm…
Me vrullin dhe temperamentin e djemve vlonjatë.
Të hallakatur në vështirësitë e kohës…
Por të fiksuar në pasionin e madh.
Se kishin ndeshur më parë njëri-tjetrin n’qytet,
Protagonizmin e kishin veç si Afrim, Agron, Mane dhe Muhamet.
I bashkoi më pas udha e artit, me nurin dhe talentin e vet,
U ngjitën ngadalë dhe të ndrojtur në tempull
Përsëri si Afrim, Agron, Mane dhe Muhamet.
Shpalosën pa u ngutur talentin e madh,
Mbështetur fuqishëm nga mjeshtrat e zotë.
Herë si fshatarë, punëtorë a “robot”…
Dhe herë duke qarë apo qeshur me lot.
Dhe si rastësisht u bashkuan fuqishëm,
Në kulmin e lartë, të katërt në nji…
U bën bashkë si trup dhe zë për t’na mahnitur,
Me të bukurën dhe magjishmen Parodi.
U dashuruam dehshëm pas artit të tyre,
Duke i pritur në skenë me kënaqsi të pamat,
Krenoheshim ngado, kur rasti e binte…
E shihni o njerëz…janë djemtë vlonjat.
Dhe djemtë e famshëm, vënë n’majë të kurorës,
I quajtëm njëzëri Parodistët e Vlorës.
I’a harruam si pa dashje emrat e vet…
Sa askush nuk i thirrte më…
Afrim, Agron as Mane e Muhamet.