Policia e Kolonjës ka reaguar në lidhje me gjetjen pa shenja jete të 48-vjeçares Mimoza Kristo, e cila kishte humbur kontaktet me familjarët 4 ditë më parë.
Përmes një njoftimi zyrtar policia bën me dije se gruaja e cila vuante nga probleme të shëndetit mendor, është gjetur e pajetë, në zonën midis fshatrave Podë dhe Gozhdarazhdë.
Sipas uniformave blu nga këqyrja paraprake e trupit të viktimës nuk janë konstatuar dëmtime fizike.
Ende nuk dihen shkaqet e vdekjes se 48-vjeçares, ndërkohë që pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen.
Ka qenë vëllai i saj, ai i cili ka deklaruar humbjen e kontakteve me viktimën në datën 20 Prill, dita kur Mimoza Kristo ishte larguar nga banesa.
Grupi hetimor dhe policia po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.