U kërkonte para qytetarëve, Policia e Shtetit merr vendimin drastik për efektivin

Janë përjashtuar nga radhët e uniformave blu dy efektivët e patrullës të cilët u denoncuan se ndalonin qytetarë në zonën e Kamzës dhe u kërkonin rryshfet, ose në të kundërt do t’i shoqëronin në komisariat.
Në një reagim zyrtar, bëhet me dije se janë përjashtuar efektivët Shamet Kuqo dhe Elton Gjedia, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetim rreth kësaj çështje.

Reagim i Policisë së Shtetit

Menjëherë pas transmetimit të pamjeve filmike, në emisionin investigativ “STOP”, ku u shfaqën dy punonjës policie të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 6, në shpërdorim të plotë të detyrës dhe në shkelje të hapur të etikës dhe të komunikimit, duke i marrë një shumë parash, me anë të akteve korruptive, drejtuesit të një automjeti që kishte ndaluar në anë të rrugës, në Kashar, sqarojmë opinonin publik se:

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar menjëherë përjashtimin përfundimtar nga radhët e Policisë së Shtetit, të dy punonjësve të Patrullës së Përgjithshme, inspektorëve Shamet Kuqo dhe Elton Gjedia.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur menjëherë hetimin e thelluar disiplinor, për shkelje të rëndë disiplinore, ndaj specialistit të Seksionit të Patrullës së Përgjithshme, Nënkomisar A. K., si dhe ndaj shefit të Seksionit për Rendin dhe Sigurinë Publike në Komisariatin e Policisë Nr. 6, Komisar V. I.

Njëkohësisht, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimin penal në lidhje me këtë rast.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit falënderon drejtuesit e emisionit “STOP” dhe inkurajon median dhe qytetarët që të denoncojnë çdo rast të korrupsionit, të abuzimit me detyrën apo shkelje të kodit të etikës dhe sjelljes me qytetarët, duke iu garantuar se është shumë i vendosur për të reaguar me ashpërsinë e ligjit që të largojë nga radhët e Policisë së Shtetit, punonjës të tillë që njollosin emrin dhe uniformën e Policisë së Shtetit.

Loading...