Prokuroria mbylli hetimet dhe e dërgoi Tupin të pandehur në Gjykatë së bashku me një drejtor shkolle që ka firmosur dokumente false dhe e ka diplomuar, teksa i dyshuari nuk e kishte frekuentuar asnjë ditë gjimnazin.
Këtë diplomë gjimnazi, vulosur nga ish-drejtori i shkollës, Dashor Hysa, 36-vjeçari e ka paraqitur në Ambasadën Amerikane për intervistën prej të cilës pas lotarisë ai priste të pajisej me vizë.
Mirëpo, pas verifikimeve të kryera nga ambasada, këta të fundit kishin shkuar në fshatin Dorëz në Librazhd, në shkollën “Shefqet Dosku” dhe kishin kontaktuar me stafin pedagogjik.
I ndodhur në këto kushte, Tupi vendosi të tregonte të vërtetën, duke thënë se i duhej një diplomë dhe se kishte takuar një qytetar në Rrugën e Kavajës, të cilit i ka dhënë 2 mijë euro për të marrë një vërtetim.
Në lidhje me këtë rast, ish-drejtori i shkollës, edhe ai i marrë i pandehur, ka deklaruar se një 36-vjeçar kishte shkuar në zyrën e tij dhe i kishte kërkuar një vërtetim notash dhe ai ia kishte dhënë pas një verifikimi në regjistrin e veçantë ku kishte parë që ky shtetas figuronte si nxënës i shkollës së mesme.
Mirëpo, Prokuroria deklaron se ish-drejtori nuk thotë të vërtetën dhe se ka shpërdoruar detyrën.