Udhëtimi nga Tetova për në Shkup fatkeqësisht ishte i fundit për vajzën e ish-deputetit Vangjel Tavo, e cila ndërroi jetë ditën e djeshme. 24-vjeçarja Eva Tavo po udhëtonte me një makinë tip “Audi” e cila sipas policisë në Maqedoni doli nga rruga dhe u aksidentua në fshatin Llaskarcë. Eva ndërroi jetë në vend.
“Me datë 28.11.2023, në ora 14:00 në SPB-Shkup është raportuar se në autostradën “Nënë Tereza” në drejtim nga Tetova për në Shkup, në rajonin e fshatit Llaskarcë, automjeti i pasagjerëve “Audi” me targa të Shqipërisë, që po drejtohej nga shtetasi shqiptar V.M (40), ka dalë nga rruga.
Nga plagët e marra në aksident, pasagjerja E.T.(24) nga Republika e Shqipërisë ka ndërruar jetë në vend, ndërsa mjeku i Emergjencave Mjekësore ka konstatuar vdekjen e saj. Ndërsa, i plagosur rëndë ka mbetur shoferi V.M” njofton ministria e Brendshme e Maqedonisë. Lajmin e trishtë mbrëmjen e djeshme e njoftoi vetë ish-deputeti Tavo. Varrimi bëhet nesër në Jorgut, Gjirokastër.