Ujëvara e Peshturës ,destinacion turistik në zonën e Kurveleshit

Krahina e Kurveleshit është zonë malore, e ndërtuar kryesisht nga shkëmbinj gëlqerorë të kretakut e pjesërisht nga flishi, me reliev të lartë e të ashpër në pjesën më të madhe të tij, që në Kurveleshin e Sipërm merr karakterin e një rrafshnalte shumë të copëtuar nga përrenjtë me shtretër të thellë e gryka të ngushta në trajtë kanionesh deri 150 m të thella, rrëpirash e humnerash si në Nivicë, Lekdush etj.

Janë të përhapura shumë dukuritë dhe format karstike si : gropa, puse, galeri, shpella si dhe mjaft fusha karstike si ajo e Progonatit, e Golemit etj., ku janë përqendruar edhe qendrat kryesore të banimit dhe tokat bujqësore.

Ujërat e shirave e të borës së shumtë, nëpërmjet hinkave, puseve e të çarave të tjera karstike, depërtojnë shpejt në thellësi të tokës. 

Kjo bën që, sidomos Kurveleshi i Sipërm, të ketë burime të kufizuara uji.

Më e pasur është zona barishtore me kullota të shumta, ku gjenden shumë bimë mjekësore, mjaltesa e aromatike çaji, salepi, trëndelina etj., duke e bërë Kurveleshin një vend të përshtatshëm për zhvillimin e blegtorisë, sidomos asaj të imët deles e dhisë.
Kurveleshi i Sipërm, në pikëpamje natyrore, është një kështjellë nga ku, për të dalë në qendër të tij, në Gusmar, mund të futesh vetëm nëpër disa drejtime e kryesisht grykash malore si Gryka e Bënçës, Gryka e Vërmikut, Gryka e Borshit për në Kuç e Grykë të Shurit deri në Gusmar dhe Gryka e Kaparielit, që të nxjerr në Golem-Gusmar apo edhe Qafa e Kreshtës.

Ky pozicion gjeostrategjik e shkëput disi Kurveleshin, sidomos atë të Sipërm, nga krahinat e tjera dhe ka favorizuar qëndresën e armatosur të kurveleshasve, por edhe ruajtien e vlerave etnokulturore autoktone.

Sot, kjo zonë është future në projekte të shumta turistike që nisin nga bregdeti I Jonit dhe ngjiten drejt zonës malore.

Turistët e parë eksploratorë të natyrës, historisë dhe aventurës, kanë filluar të udhëtojnë drejt këtyre zonave me bukuri të rrallë mjedisore.

Monumentet e natyrës si maja malesh, shkëmbinj,drurë apo ujvara,janë kthyer në destinacione të mirfillta turistike që shfrytëzohen nga agjenci të shumta të turizmit lëvizës.

Loading...