Mediat shtetërore ruse thonë se një shpërthim ka ndodhur jashtë ndërtesës së administratës së kontrolluar nga separatistët në qytetin Donetsk në Ukrainën lindore.
The Guardian shkruan se askush nuk u lëndua në shpërthimin e së premtes, i cili u shkaktua në një makinë bombë.
Videoja e filmuar nga gazetarët rusë në vendngjarje tregonte një zjarr që digjej. Makina i përkiste kreut të forcës policore të DNR, Denis Sinenkov.
Shpërthimi vjen pas paralajmërimeve të shumta nga SHBA dhe të tjerët për një incident të “flamurit të rremë”, i përdorur nga Rusia si pretekst për të justifikuar një sulm ushtarak në Ukrainë.
Kjo vjen disa orë pasi udhëheqësi i Republikës Popullore të Donetsk (DNR), Denis Pushilin, njoftoi se banorët do të evakuoheshin nga qyteti në rajonin e Rostovit të Rusisë.
Pushilin tha se masa ishte e nevojshme për shkak të një sulmi të afërt në territor nga forcat ukrainase.
Qeveria pro-perëndimore e Ukrainës e ka mohuar me forcë pretendimin dhe thotë se është sjellë me përmbajtje pavarësisht granatimeve të rënda të enjten dhe të premten nga territori i kontrolluar nga rebelët.