Kontigjenti i 5-të paqeruajtës nderon veprën sublime të dëshmorëve të rënë në Letoni.
Komandanti i kontingjentit shqiptar në misionin e NATO “Enhanced Forward Presence”, major Klodian Tanushi ndërroi jetë mbrëmjen e së premtes në spital.
Tanushi ndërroi jetë në Letoni në ditën që iu dha lamtumira nëntetares Zarife Hasanaj.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u dërgoi sot një mesazh ngushëllimi fëmijëve, bashkëshortes dhe familjarëve të majorit Klodian Tanushi.
“Ndaj dhimbjen me fëmijët, bashkëshorten dhe familjarët e komandantit trim, majorit Klodian Tanushi. Klodian Tanushi është një engjëll mbrojtës i paqes dhe ra dëshmor për Shqipërinë, Letoninë dhe Europën, për garantimin dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve letonezë dhe europianë.
Shqipëri, ji krenare për bijtë e tu që sakrifikohen për sigurinë e qytetarëve të Europës dhe të botës,”-shkroi Ruçi në mesazhin e ngushëllimit.
Pesë ditë më parë, nga shpërthimi i një mine në bazën ushtarake Camp Adazi humbi jetën nëntetarja Zarife Hasanaj dhe majori Klodian Tanushi, si edhe u plagos reshter Julian Kapaj. Ky i fundit ndodhet në gjendje të stabilizuar.