Është ulur sot në aeroportin Sydney avioni i kompanisë australiane Qantas, që ka kompletuar kështu udhëtimin e parë eksperimental pa ndalesë, prej 19 orë e 19 minutash nga Londra.
Një udhëtim rekord ky i Boeing 787-9 për kohën, por edhe për distancën e përshkuar, prej 17.800 km.
I nisur nga Londra Heathrow të enjten në 6 të mëngjesit (ora lokale), avioni ka fluturuar mbi Gjermaninë, Rusinë, Poloninë, Bjellorusinë, Kazakistanin dhe Kinën përpara se të drejtohej në jug duke kaluar mbi Filipinet dhe Indonezinë.
Pavarësisht kapacitetit të avionit prej 256 personash, avioni kishte në bord vetëm 50 njerëz, mes të cilëve shkencëtarë, studiues, pilotë dhe nëpunës të Qastas, të cilët kanë mbajtur veshur për të gjithë udhëtimin pajisje teknologjike për të monitoruar modelet e gjumit dhe të konsumimit të ushqimit dhe pijeve, si dhe për të verifikuar gjendjen shëndetësore të faktorëve, si ndriçimi dhe lëvizjet brenda mjetit.
Gjithashtu janë regjistruar nivelet e melatoninës dhe të lagështisë në avion.