Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha u shpreh se, projekti për ndërtimin e Unazës së Re të Tiranës, duhet të ishte konsultuar më parë me banorët e zonës dhe pas shpronësimit të plotë tyre, të niste zbatimi i tij.
I ftuar në një emision televiziv mbrëmjen e së enjtes, Basha tha se opozita do të qëndrojë në krahun e banorëve të Unazës së Re.
“Jemi kundër prishjes së banesa të këtyre banorëve që preken nga ky projekt, pa u shpronësuar dhe kompensuar më parë me vlerën e tregut. Janë 317 banesa që rrezikohen të prishen”, – tha ai.
“E zëmë se projekti është në rregull, problemi elementar është zbatimi dhe respektimi i ligjit për pronën. Kjo që po bëjnë këta është skenar i spastrimit etnik, këtë bënë serbët ndaj kosovarëve. Pra këtu bëhet fjalë për të drejta të patjetërsueshme të banorëve që është shkelur me të dyja këmbët nga organet që duhet t’i mbronin”, – deklaroi Basha. /atsh