Unioni i Gazetarëve: “Urdhëri i Prokurorisë së Krimeve të Rënda e kërcënon lirinë e medias dhe bie ndesh me legjislacionin shqiptar!”

Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë reagoi lidhur me vendimin e prokurorisë së krimeve të rënda për të ndaluar publikimin e përgjimeve të Vangjush Dakor në Media.

Deklarata:
Deklaratë e plotë e Kryetarit të UGSH-së Aleksandër Çipa, pas urdhërit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, sipas të cilit ndalohen publikime që lidhen me sekrete hetimore

Urdhëri i Prokurorisë së Krimeve të Rënda e kërcënon lirinë e medias dhe bie ndesh me legjislacionin shqiptar!

Tiranë më 6.06.2019

Në emër të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë e refuzojmë kategorikisht këtë urdhër të paprecedent, i cili në vetvete e tradhëton inteligjencën juridike të vetë Prokurorisë! Organi i prokurorisë mund të nxjerrë një urdhër të tillë vetëm për stafet e tyre, për punonjësit që përfaqësojnë grupin hetimor, por kurrësesi nuk mund të urdhërojnë një pushtet tjetër që nuk ka lidhje me të, i cili kontribuon në transparencën publike dhe rritjen e informimit publik!

Në praktikën ndërkombëtare ka shumë raste, në Italinë fqinje kemi rastin e dy gazetarëve, të cilët operojnë shpesh me përgjimet e marra nga organi i prokurorisë, nga strukturat e antimafias dhe organet e tjera të hetimit! Dhe në asnjë rast organet e akuzës italiane nuk i kanë denoncuar gazetarët apo nuk i kanë akuzuar për nxjerrjen e sekretit hetimor apo shtetëror. Refuzojmë këtë lloj urdhëri, i cili do të shkaktojë reagime edhe nga organizatat ndërkombëtare të gazetarëve!

Ky urdhër është një kërcënim por, besoj se gazetarët shqiptarë nuk do të ndalen. Gazetarët do të stimulohen më shumë për të operuar në mënyrë maksimale në interes të informimit publik.

Në historinë e Shqipërisë nuk ka precedentë të tillë, por reminishenca. Në vitin 1997 kur u ngrit organi i çensurës dhe në rastin famëkeq gjyqësor në rastin e dy gazetarëve Martin Leka dhe Aleksandër Frangaj, ish gazetarë të “Koha Jonë”. Ky rast përbën vetëm një reminishencë, por nuk ka lidhje me vendim apo urdhër të ngjashëm, si ky i Prokurorisë së Krimeve tê Rënda.

Loading...