Ushqime të shëndetshme për zemrën.
Përdorni një dietë të pasur me fruta, perime, drithëra, peshk që mbrojnë zemrën. Limitoni konsumimin e yndyrave, si mish, djathë, gjalpë, qumësht. Përdorni groshët dhe thjerrëzat në vend të mishit. Frutat dhe perimet janë parandaluesit kryesorë jo vetëm të sëmundjeve të zemrës por edhe të kancerit, shprehet kardiologët.
Ushqimet e skuqura dëmtojnë zemrën
Ushqimet e skuqura, të shpejta dhe me shumë kripë mund të shkaktojnë atak në zemër. Kështu, pakësoni në mënyrë të konsiderueshme ushqimet e skuqura, apo ato që shiten në fast food-e, pasi duke i zëvendësuar me perime dhe fruta, mund të ulni deri në 30 % mundësinë një infarkti në zemër. Është konkluzioni që kanë nxjerrë një grup studiuesish nga një studim mbi zakonin e të ushqyerit, i cili ka përfshirë mbi 16 mijë persona në 52 shtete. Dieta tipike e botës perëndimore është shumë e pasur me yndyrna, mish dhe kripë, të gjitha këto ushqime venë në rrezik shëndetin kardiovaskular.
Zemra ka nevojë për hekur
Një studim i shkencëtarëve amerikanë tregon se konsumimi i hekurit ndihmon në kontrollin e shtypjes së gjakut dhe faktorëve të tjerë të dëmshëm për zemër. Rezultatet e studimit, që thonë se hekuri është i dobishëm për zemër, mund të shpjegohen me veprimin e antioksiduesve, të pranishëm në hekur. Studimi ka zgjatur 18 javë dhe është bërë në kafshë laboratorike. Krahas uljes së shtypjes së gjakut, konsumimi i hekurit është parë se çon edhe deri te zvogëlimi i proceseve inflamatore në organizëm, duke mbrojtur edhe muskulin e zemrës. Analizat shtesë kanë treguar se hekuri e mbron zemrën më shumë sesa ilaçet për zbritjen e shtypjes së gjakut, thuhet në revistën “Journal of Gerontology”.
Zvogëlo marrjen e kripës
Kripa e tepërt shkakton rritjen e presionit të gjakut, gjë që rrit rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve koronare të zemrës. Rri larg ushqimeve të kripura dhe shikoji gjërat para se t’i blesh, nëse kanë përmbajtje të lartë të kripës. E ndoshta edhe gjërat që na duken të shëndetshme kanë sasi të lartë të kripës, kështu që shikoni përmbajtjen e tyre.
Hani fruta dhe perime
Një dietë e shëndetshme ju ndihmon të zvogëloni rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të zemrës, dhe gjithashtu mund t’ju ndihmojë të rrisni mundësinë e mbijetimit të sulmit të zemrës. Duhet të provoni të keni dietë të balancuar që përmban sasi të mëdha frutash dhe perimesh, peshk, dhe ushqimet si: buka e zezë apo e plotë, pasta dhe oriz. Rri larg ushqimeve siç janë biskota, torta, brumërat e ndryshme, produkteve të qumështit që janë me dozë të lartë të yndyrës së ngopur (saturated) dhe sheqerit.
Ndryshimi i ushqimit dhe efektet
Një prej veprimeve që duhet të bëni për ta parandaluar sulmin në zemër është ndryshimi i ushqimit. Duhet të merrni të gjitha ushqimet, por dominues duhet të jetë ushqimi vegjetarian, i përbëre nga frutat dhe perimet e freskëta, të cilat përmbajnë vitamina dhe minerale. Merrni një lugë vaj ulliri në ditë bashkë me sallatë dhe përdorni më shpesh mishin e peshkut, i cili përmban acide të shumta yndyrore omega-3, që zvogëlojnë kolesterolin dhe si rrjedhojë, edhe rrezikun për sëmundje kardiovaskulare. Disa vezë në javë nuk janë të ndaluara. Edhe mishi lejohet, por pa dhjamë dhe në sasi më të vogël. Po ashtu mund të merren në sasi jo të tepërt edhe arrat, bajamet, lajthitë, por në kokrra të plota.
Substancat që zgjerojnë enët e gjakut
Ka artikuj ushqimorë që përmbajnë substanca të cilat shkaktojnë zgjerimin e enëve të gjakut në tru, e ky është shkaku i dhembjes në tëmthat. Fajtorët kryesorë janë nitritet, shtesat që i qiten mishit të konservuar dhe disa llojeve të sallameve, si dhe disa përbërës të tjerë që u qiten kryesisht artikujve të konservuar. Kujdes të posaçëm duhet kushtuar kafesë: kafeina ngushton enët e gjakut, mirëpo personat që janë mësuar të konsumojnë disa kafe në ditë, në rast të mungesës së rastësishme shkaktohet reaksioni i kundërt, përkatësisht zgjerimi me dhembje i enëve të gjakut.
Më shumë peshk për zemrën
Peshku duhet të hahet së paku dy herë në javë, sepse është i pasur me thartirën omega-3, e cila ul tensionin dhe ruan arteriet dhe zemrën. Mishi është i pasur me yndyra, të cilat mund të shtresohen në arterie, duke vështirësuar në këtë mënyrë qarkullimin e gjakut dhe shkaktuar ngritjen e tensionit.
Kaliumi aleat i zemrës
Pemët dhe perimet janë të pasura me kalium, mineral i cili ka aftësi për zgjerimin e arterieve. Mjafton që të shtohet në ushqim dhe që tensioni të kthehet në normale. Në mesin e artikujve më të pasur me kalium janë pemët ekzotike, lëngu prej kumbullave, bananeve, dredhëzave, patates, majdanozi dhe domatja.
Ushqimet që ndihmojnë zemrën
Mishi i viçit, i lepurit, bibës, pulës, qumështi pa yndyrë dhe jogurti, peshku i lumit ose i liqenit, buka, orizi, vera, birra (vetëm një gote në dite), margarina, vaji prej misrit, kikirikëve, lulediellit, lakra, trangujt, qepa, patatja, domatja.
Ushqimet që duhen evituar
Mishi i konservuar ose i tharë, sallamet, djathërat e vjetër, peshku në vaj, brumërat me vezë, ëmbëlsirat, çokollata, sasitë më të mëdha të alkoolit, gjalpi, dhjami, frutat e konservuara dhe ushqimi i thartë.
Nevojat e zemrës për natrium
Mungesat më të mëdha të kaliumit vijnë si rezultat i konsumit të tepërt të natriumit përmes kripës. Në fakt, kaliumi dhe natriumi në organizëm, janë në ekuilibër mes tyre. Perëndimorët harxhojnë tri herë më shumë natrium (përmes kripës) se sa kalium. Ky çekuilibër midis dy mineraleve është në origjinë të hipertensionit arterial, të shqetësimeve kardiake apo cerebrale, të humbjes së kalciumit, të gurëve në veshka apo të osteoporozës. Më pak të rënda, por po aq shqetësuese, janë shenjat paralajmëruese të mungesës së kaliumit si lodhja, ngërçet, fryrjet e barkut, vështirësia intestinale.
Ushqimet që përmbajnë kalium për zemrën
Për të zgjidhur problemin dhe rivendosur një ekuilibër rreth harxhimit të tepërt të natriumit, popujt e vendeve perëndimore duhet të konsumojnë më shumë kalium. Mire do të ishte që të konsumohej 4 herë më shumë kalium se sa natrium. Një ushqim i ekuilibruar mund të sjellë vendosjen e një ekuilibri të duhur. Ja pse konsumi i natriumit duhet ulur dhe të mos kalojë 2,5 g në ditë. Duhen shmangur sallamërat, supat e përgatitura në mënyrë industriale, gjellët e fabrikuara dhe që kanë shumë kripë, etj.
Barishtet dhe frutat për zemrën
Minerali i kaliumit është i pranishëm në bimët. Më të pasura me të janë zarzavatet (si fasulet, thjerrëzat, etj); frutat e thata (hurmat e Arabisë, fiqtë, etj); arrat, bajamet; patatet, zarzavatet jeshile, si spinaqi; frutat e freskëta, etj; të cilat janë një burim i mirë në kalium. Por kujdes, pasi gatimi me ujë bën që zarzavatet të humbasin 50-70 % të kaliumit që kanë. Ja pse duhet përdorur gatimi me avull, ose frutat dhe zarzavatet të konsumohen të gjalla.
Vaji i ullirit parandalon infarktin
Konsumimi i rregullt i vajit të ullirit, mund të përbëjë një luftë natyrore kundër infarkteve dhe tumoreve, sepse pengon oksidimin e ADN-së dhe plakjen e qelizave. Të paktën ky është përfundimi i dy studimeve paralele të kryera nga studiuesit italianë. Studimet e kryera mbi dy kampione të ndryshme, kanë treguar se funksioni antioksidues i fenolëve, agjentëve kimikë natyralë që ndodhen te ullirit, është i tillë që ka veti mbrojtëse si ndaj sëmundjeve kardiovaskulare (infarkti, iktusi dhe trombozat), ashtu dhe mbi sëmundjet degjenerative (tumoret, sëmundja e Alzhaimerit). Studimet janë kryer nga dy ekipe të ndryshme. Studimet kanë hedhur dritë mbi efektin mbrojtës të fenolëve mbi sistemin kardiak dhe parandalimin e tumoreve.
Çaji i murrizit mban zemrën e shëndetshme
Murrizi, është shumë i njohur në vendin tonë. Ajo që duhet theksuar, lidhet ngushtë me faktin se, murrizi nuk është vetëm një shkurre, që shërben si ushqim për kafshët, por edhe një bimë e pasur me substanca, të cilat ndihmojnë në parandalimin dhe lehtësimin e shumë sëmundjeve. Kryesisht ndihmon të gjithë ata që kanë probleme me zemrën, pasi forcon muskujt e këtij organi dhe i siguron ritëm normal. Kjo bimë është e pasur me lëndë vepruese. Çaji ndihmon edhe kur të sëmurët ndiejnë dhimbje të zemrës.