Shumica e njerëzve në botë e marrin si mjaft të zakonshme dhe të padiskutueshme faktin që njeriu ka nevojë të hajë tri herë në ditë. Por jo gjithmonë ka qenë kështu.
Në fakt, kjo është një praktikë vetëm e kohëve të fundit. Sot në botën e zhvilluar ka gjithnjë e më pak njerëz që mblidhen për darkë me familjen dhe kjo është gjithashtu një ndryshim stili e jo shumë i rëndësishëm.
Por për ekspertët e qeverive, është mëngjesi që po anashkalohet nga shumë njerëz, problemi që meriton me të vërtetë vëmendje dhe duhet të na shqetësojë. Mëngjesi i bën njerëzit më të vëmendshëm dhe përmirëson rezultatin e fëmijëve në shkollë.
Mëngjesi
Mëngjesi, si një vakt më vete, nuk ka ekzistuar për pjesën më të madhe të historisë së njerëzimit. Romakët nuk e kishin këtë praktikë. Ata përgjithësisht mjaftoheshin me vetëm një vakt në ditë, rreth mesditës, thotë historiania e ushqimit Caroline Yeldham.
“Romakët besonin se ishte më e shëndetshme të haje vetëm një vakt në ditë”, thotë ajo. “Ata qenë të fiksuar me tretjen dhe po të haje më shumë se një herë në ditë, konsiderohej si teprim. Ky lloj mendimi ndikoi në mënyrën se si njerëzit u ushqyen për shumë kohë.
Në Mesjetë, jeta nëpër manastire i dha formë edhe mënyrës se si njerëzit ushqeheshin, thotë historiani Ivan Day. Asgjë nuk mund të hahej para lutjeve të mëngjesit dhe mishi mund të konsumohej vetëm gjatë gjysmës së ditëve të një viti.
Besohet se fjala mëngjes, (breakfast) në gjuhën angleze u shfaq në këtë kohë dhe ishte një shkurtim i fjalëve “thyeje agjërimin e natës”.
Ritualet fetare krijuan edhe mëngjesin e plotë britanik. Emrat e gatimeve të ndryshme vijnë nga praktika e Pashkëve dhe agjërimit që u paraprin Pashkëve. Shumica e mishit që konsumohej ishte mish derri dhe nënprodukte të tij, për shkak se derri shërben si një magazinë kalorish dhe ushqehet me çdo gjë. Mishi shpesh shoqërohej me vezë.
Por fillimisht, ka shumë gjasa që ky lloj mëngjesi të mos konsumohej me të vërtetë në mëngjes.
Nga mesi i shekullit të 17 besohet se të gjitha klasat shoqërore filluan të hanë mëngjes. Nga Lindja mbërritën për herë të parë çaji dhe kafeja si shoqërues, ndërsa vezët e rrahura u shfaqën nëpër tavolinat e të pasurve. Nga vitet 1740, nëpër familjet e pasura u shfaqën edhe dhomat e posaçme për mëngjesin.
Në shekullin e 19, kjo praktikë mbërriti në nivelet e dekadencës nëpër qarqet aristokratike. Gjatë festave të gjuetisë, për mëngjes ofroheshin deri në 24 lloje të ndryshme ushqimesh.
Revolucioni industrial në mes të shekullit të 19 solli edhe vendosjen e rregullit për oraret e punës dhe punëtorët kishin nevojë për një vakt para pune për të fituar energjitë e duhura. Të gjitha shtresat shoqërore filluan kështu të hanë mëngjes para se të shkojnë në punë, madje edhe drejtuesit.
Në fillim të shekullit të njëzetë, mëngjesi u revolucionarizua edhe një herë nga një amerikan, John Harvey Kellogg. Ai aksidentalisht la pa ngrënë misër të zier, që u bë bajat. Ai i copëtoi ato dhe i poqi, duke krijuar kështu atë që ne e njohim sot si drithëra, ose kornflejks. Kështu u themelua një industri multimiliardere.
Nga vitet 1920 qeveria po promovonte ngrënien e mëngjesit si vakti më i rëndësishëm i ditës, por kur mbërriti Lufta e Dytë Botërore, mëngjesi ishte shumë vështirë të gjendej.
Në vitet ’50, kur ekonomia filloi të përmirësohej dhe solli mes të tjerash, edhe thekësen e bukës, (një shpikje amerikane), bukë të prerë me feta, kafe të gatshme dhe drithëra të parapërgatitura, mëngjesi pësoi një ndryshim të ri. Këtu mbërritëm te ky vakt, ashtu siç ne e njohim edhe sot.
Dreka
Që nga koha e romakëve deri në Mesjetë, të gjithë hanin në kohën e mesditës. Por vetë dreka, siç e njohim ne sot, nuk ekzistonte as si fjalë. Përgjatë të gjithë historisë së njerëzimit, drita e diellit përcaktonte edhe kohën e ngrënies. Në mungesë të energjisë elektrike, njerëzit zgjoheshin më herët për të përdorur në maksimum dritën e diellit. Punëtorët shpesh punonin që në të gdhirë në fusha dhe në mes të ditës ishin të uritur.
“E gjithë dita strukturohej shumë ndryshe nga sot”, thotë Day. “Njerëzit zgjoheshin më herët dhe shkonin në krevat shumë më herët.” Deri në mesditë, ata kishin punuar për më shumë se gjashtë orë. Ata zakonisht merrnin një pushim të shkurtër për të ngrënë, që njihej si vakti i mesditës. Zakonisht hanin bukë dhe djathë. Kur drita artificiale u zhvillua, darka filloi të zhvendosej më vonë për të pasurit dhe rrjedhimisht, një drekë më e lehtë ishte e mjaftueshme.
Darka
Darka ishte vakti i vetëm që hanin romakët, megjithëse nuk hahej në kohën që ne e konsiderojmë darkë. Aristokratët e kohës hanin me formalitete të mëdha një vakt që niste pasdreke e që shpesh vijonte deri vonë.
Darkat qenë njëkohësisht ekspozime të pasurisë e pushtetit dhe kuzhinierët shpesh punonin nga herët në mëngjes për t’i përgatitur të gjitha gjërat. Për shkak se mungonte energjia elektrike, gatimi në mbrëmje nuk ishte një opsion. Edhe fshatarët hanin në të njëjtën kohë, por ata qenë natyrisht shumë më modestë.
Por pas shekullit të shtatëmbëdhjetë, nëpër Europë u shfaq edhe dreka e punës, gjatë së cilës, burrat me ambicie mund të lidhnin kontakte e biznese të reja.
Të ngrënit e shtresave të mesme e të varfra u përcaktuan gjithashtu nga orari i punës. Nga fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë, shumica e njerëzve po hanin tri herë në ditë, veçanërisht nëpër qytetet e mëdha e të mesme.
Nga fillimi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, për shumicën e njerëzve vakti kryesor u zhvendos për në mbrëmje, pasi ata ktheheshin nga një ditë e plotë pune. Por shumë njerëz vijuan të ruajnë “orarin e darkës”, pra vaktin e ngrënë shpejt pas mesditës, për ditët e diela.
Një histori e shkurtër e brunçit
Brunch (brunç) është një bashkim në anglisht i fjalëve “mëngjes” dhe “drekë”.
Besohet se kjo praktikë i ka rrënjët në Britaninë e shekullit të 19, kur disa të pasur i lejonin vetes të ushqeheshin me një numër të madh gjellësh brenda një vakti.
Më 1895-n, Buy Beringer shkroi një opinion në media, duke argumentuar se bëhej fjalë për krijimin e një vakti që shërbente veçanërisht për ata që kishin kaluar mbrëmjen e të shtunës në festa dhe që zgjoheshin vonë në mëngjes të dielën e fillonin të hanin njëkohësisht edhe mëngjesin edhe drekën.
Kjo ishte fillesa e fjalës brunç, siç njihen sot edhe shumë restorante që mbajnë këtë emër. Ndërsa koncepti është britanik, në fakt qenë amerikanët që e përqafuan dhe e popullarizuan.
Praktika u përhap në masë në Çikagon e viteve ’30, kur yjet e filmave e shokët e tyre ndalonin në qytet për një mëngjes të vonë.
Brunçet e ditës së diel u bënë edhe më popullore në SHBA pas Luftës së Dytë Botërore, për shkak se pati një rënie të madhe të numrit të amerikanëve që shkonin në kishë.
Menyja përfshinte shpesh lëng domateje me proshutë dhe qofte patatesh, ndërsa tani ndodh më shpesh që të ketë qofte me patate dhe vezë.