“Burra …një apel që bie në zbrazëti!” Të vjen në mend kur mendon për të dobëtit që vrasin dhe dhunojnë vajzat dhe gratë në familje. Nëse do të duket sikur ky artikull po shkruhet në nerva e sipër: është e vërtetë.
Për pak javë do të bëhem babai i një vajze. Kjo mund të ketë rritur ndjeshmërinë time ndërsa lexova protestat e fundit të vajzës së vrarë në Greqi nga i ati. Por kjo nuk është çështje përvoje. Është çështje mentaliteti. Është faji i mentalitetit, sipas të cilit vajzat e mira bëjnë çfarë u thonë prindërit, madje as nuk dashurojnë. Idiotësi, idiotësi, idiot!
Edhe vajza jote do të dashurojë, siç dashuronte shoqja jote e klasës, siç do të dashurojë çdo vajzë…dhe është normale. Dhe nuk është turp. Dhe nëse ti mendon se është turp, sepse kështu mendojnë të tjerët, ajo thjesht do të ta fshehë dhe jemi idiotë të gjithë. Kur fare mirë mund të jemi të kuptueshëm e t’i lëmë të na tregojnë, pa i gjykuar. Ka djem që përbëjnë rrezik. Por nuk i mbrojmë duke fajësuar normalitetin e njeriut që ato janë dhe të ndjenjave që do të kenë.
Mbi të gjitha, është çështje “pronash”. Ne mendojmë se ato nuk i përkasin vetes. Por, çdo gjë që ato bëjnë ka rëndësi vetëm për dritëhijet që hedhin mbi familjen, mbi ne. Kjo është një tjetër idiotësi e “burrave”: e mungesës së burrave. Ende nuk e vëmë trurin në punë për të kuptuar që vajzat nuk do të bërtasin thuajse asnjëherë më shumë se ne për të na mundur me një të bërtitur më të fortë apo fizikisht, siç mund të bëjnë djemtë ndonjëherë pasi rriten. Por kjo nuk do të thotë që po na japin të drejtë. Kjo nuk do të thotë që ne jemi përgjegjës gjithë jetën për to, edhe kur duan të marrin një vendim vetë.
Vajzat e rritura i përkasin vetes. Fute në kokë dhe do ta kuptosh më mirë vajzën, mbesën, motrën, nënën, gruan tënde. Fute në kokë dhe do ta duash më shumë. Fute në kokë dhe do të të dojë më shumë.
Vajzat e rritura i përkasin vetes. Mos e qëllo. Dëgjoje. Nëse nuk je dakord, bëji një pyetje tjetër ta kuptosh edhe më mirë. Nëse prapë nuk je dakord, këshilloje dhe mendo si do të ndiheshe nëse edhe ajo do të ta priste shkurt si një djalë që i mbaron durimi: Do të bëj ç’të dua! Mendo se edhe ajo mund të ta kthejë kështu. Mendon se duhet ta vrasësh?
Vajzat e rritura i përkasin vetes. Koha jote për ta edukuar është kur ajo është ende e vogël. Nëse nuk është rritur si duhet, gjuaj veten. Gjasat janë që është rritur shumë në rregull, por thjesht ti ndonjëherë do që ajo të jetë vetëm vajza jote dhe jo një njeri normal. Mos është problemi yt? Mos është problemi ynë?
Vajzat e rritura i përkasin vetes ashtu si i përkasin djemtë… What the fuck?! …pse duhet ta themi ende këtë sikur të ishte e diskutueshme!
Nëse nuk i trajtojmë me të njëjtin respekt si djemtë vajzat dhe gratë e familjes, si mund të presim që ato të trajtohen me respekt nga të tjerët. Jashtë mureve të shtëpisë patriarkalizmi vazhdon… Por kjo është temë më e gjerë dhe për momentin do të ishte fitore nëse rreshtim së vrari ato që na duan.
Patriarkalizmi jashtë mureve është vazhdim i pabarazisë në familje, por edhe patriarkalizmi brenda mureve është rrjedhojë e histerisë jashtë. Të gjithë jemi të investuar të hetojmë sjelljet e vajzave të fqinjit, të mikut dhe të armikut. Si munden “burrat” të mos objektivizojnë ato që njohin apo që nuk njohin!? Ideja që vajza apo gruaja mund të jetë objekt i bisedave të të tjerëve kthehet në faj për ato dhe në prioritet në vendimmarrje. Të jetosh për inat të komshisë nuk është vetëm frazë humori, por realitet i hidhur për shumicën…
Vajzat e rritura nuk ekzistojnë vetëm për të na nderuar apo turpëruar ne. Nuk kanë një jetë për këtë (mision të lartë në kokën tonë) dhe një tjetër për vete. Kanë vetëm një. Dhe nëse e do vërtet, ndihmoje të marrë maksimumin. Tregoja fuqinë tënde duke e kuptuar, duke e ndihmuar, duke e mbështetur. Tregoja fuqinë duke e ngritur në krahë. Duke e bërë të lumtur.
Shpesh themi se gabojmë nga dashuria. 1) Dashuria duhet të jetë e kujdesshme. 2) A mos është thjesht dashuri për vetveten? Dashuri për atë që mendojnë të tjerët… as për vajzat, por për ne.
Vajza në Greqi u vra nga i ati. Dikush tjetër nga i shoqi, dikush tjetër, para pak vitesh, nga xhaxhai, dikush tjetër shpëtoi vetëm me disa shenja, dikush tjetër… WTF! Lloje të ndryshme pronësie!! Mjaft!