Detaje të reja janë zbuluar pas ngjarjes së rëndë në Itali, ku Alfred Vefa, 44 vjeç vrau bashkëshorten e tij Klodiana Vefa më 28 shtator, teksa dy ditë më pas u gjet i vetëvrarë.
Shkak dyshohet xhelozia, pasi sipas mediave italiane çifti ishin duke u ndarë dhe madje Klodiana kishte një raport tjetër me një shtetas italian, i cili nuk ishte pranuar nga Alfredi.
Por babai i Klodianës, në një rrëfim në emisionin “Me zemër të hapur” të gazetares Evis Ahmeti në News24 ka hedhur poshtë këtë version. Ai tha se Klodiana nuk kishte asnjë lidhje tjetër dhe se nuk kishte dijeni për konflikte mes të bijës dhe dhëndrit. Madje sipas tij, Alfredi punonte me djalin tjetër, të cilit i thoshte vëlla.
Ai bëri deklaratën e fortë se do ia bënte hallall dhëndrit vrasjes e së bijës nëse ajo do e kishte tradhtuar.
Gjithsesi ai ngriti dyshime të forta për vëllain e Alfredit, si një nga shkaktarët e krimit, pasi sipas tij kishte folur keq për Klodianën, kur imazhi i saj në komunitetin ku jetonte ishte shumë i dashur.
“Unë kam qëndruar 25 ditë në Itali dhe nuk kam kuptuar asgjë. Nuk e dija që kishin probleme. As armën nuk e dija që e kishte.
Do ia bëja hallall vrasjen Alfredit nëse do ishte e vërtetë tradhtia. Por them se ka gisht kunati i saj. Ai ka folur keq për të, pak kohë para vrasjes ishte takuar me Alfredin. Ne do ta zbardhim të vërtetën”, tha babai i 37-vjeçares.