Vargje të popullit për epidemi në shekuj – analogji e dhimbjes – Nga Idajet Jahaj

VARGJE TË POPULLIT PËR EPIDEMI NË SHEKUJ

-analogji e dhimbjes-

Nga Idajet Jahaj

Në fakt ato janë vargje- vaje, për fatkeqësi natyrore si epidemitë e ndryshme. Kanë ndodhur rrallë, por me efekte tragjike në jetën e njerëzve.
Në fillim të shek. XVI (para 400 vjetësh) fshati i Kallaratit (të sotëm) në Lumin e Vlorës, nuk ka qenë aty ku është sot. Ai ka qenë i ngritur në pjerrësinë jugore të malit të Çipinit të Bolenës, nga ana e Kuçit. Ajo pjerrësi mali quhej Kunjovë. Ishte një vend piktoresk, me gurra uji në mesin e malit, të cilat mundësonin jetën në këtë vend.
Në fillim të shek. XVI aty ra një kolerë e tmerrshme, nga e cila vdiqën brenda një kohe të shurtër qindra njerëz të këtij fshati. Fshati ishte i madh, me “1200 shtëpi”, siç thotë kënga (vaji). Pas vdekjeve të shumta, ajo pjesë e banorëve që mbetën gjallë u shpërngulën prej andej e u vendosën në malin përballë. Këtu vendi quhej Piligri, nën malin e Bogonicës. Vargjet dokumentojnë:

Në Kunjovë përkarshi,
Kallarati për veri,
Njëmijë e dyqind shtëpi,
Me dyqane, magazi,
Ra kolera, bë kërdi,
Një natë- treqind e dy,
Të tjerët- në arrati,
U hodhë në Piligri,
Në Bogonicën karshi…

Rasti tjetër që evidentojnë vargjet e popullit ishte murtaja e gripit të ashtuquajtur “Spanjoll”, e vitit 1918. Pra, fillimi i shekullit XX. Ishte një epidemi botërore. Sigurisht dhimbjen e vdekjeve të shumta që shkaktoi, e kanë pasqyruar edhe në zona të tjera, por në folklorin e Smokthinës (Lumi i Vlorës) thuhet:

Grip Spanjoll, a paç belanë,
E korre Smokthinën radhë,
Në Bashaj bëre hatanë,
Një kuje, një kasaphanë,
Dekja i hëngri me radhë,
Një e dy në çdo mëhallë,
Dhe kush e mori sabanë,
Pyeste sa vdekje janë ?!…

Më poshtë vaji, prej më se 80 vargjesh, përmend me emra të gjithë të vdekurit në fshatin e thellë malor të Smokthinës.Një elegji e thekshme, nga ato kujet e stërmëdha që ndodhin rrallë nëpër shekuj.
Por jeta do të triumfonte mbi vdekjet. Këtë filozofi do ta nënvizonte edhe një tre-vargësh i rapsodit në Luftën Nacionalçlirimtare. Ai bën fjalë për operacionet e pushtuesve në vitet 1943-1944.

…Operacioni do shkojë,
Do djegë e përvëlojë,
Po populli do të fitojë !…

Ashtu ndodhi. Vargjet u bënë të famshëm për filozofinë e vet të ekzistencës, filozofinë e optimizmit, si esencë e njeriut dhe e kolektivitetit njerëzor.
Kështu edhe sot, kjo epidemi vrastare do dëmtojë, por do shkojë. Do vdesë edhe ajo.

Loading...